Sateliti "anglez" gjen "Ferrarin" e vjedhur

Policia bllokoi dje në kryeqytet autoveturën e markës luksoze e vjedhur në Londër, vlera e të cilit arrin në 250 mijë euro
TIRANE- Aparatura e satelitit e montuar në një veturë luksoze, prodhim i markës Ferrari, i vitit 2006, zbulon në kryqytetin shqiptar. Zyra e hetimit të antitrafiqeve, bllokoi automjetin e vjedhur, në Angli dhe që kishte hyrë nëpërmjet kufirit kosovaro- shqiptar dje në mesditë në parkingun pranë një hoteli luksoz në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Lajmi u bë i ditur për gazetën "Shekulli", nga burime të Policisë së Shtetit që pohuan se autovetura u bllokua pas kërkesës së dhënë nga autoritetet angleze, ku ishte e regjistruar autovetura. Mjeti luksoz i bllokuar dje në mesditë, sipas burimeve të policisë, kapte vlerën e rreth 250 mijë eurove, ndërkohë ajo iu bllokua 25 vjeçarit B. L, me banim në Laprakë.
Sinjalizimi për vendndodhjen e autoveturës kishte ardhur pak ditë më parë nga autoritetet angleze, kolegëve të tyre shqiptarë, të cilëve iu ishte treguar edhe vendi se ku ndodhej mjeti. Oficerët e zyrës së Antitrafikut të Policisë së kryeqytetit, pasi kanë kryer disa verifikime, kanë gjetur në kryeqytet, automjetin i cili posedohej nga 25 -vjeçari me origjinë nga Puka me banim në Tiranë.
Menjëherë sapo mjeti u konstatua në parkingun pranë hotelit luksoz, u bllokua nga policia dhe u transportua në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, ku edhe u kryen procedurat e bllokimit dhe sekuestrimit të tij.
Nga verifikimet e kryera nga specialistët përkatës, hetuesit konstatuan se mjeti ishte deklaruar i vjedhur në muajin maj të këtij viti në kryeqytetin anglez Londër, nga pronari i parë i saj.
Gjithsesi specialistët e hetimit të trafikut të mjeteve motorike, pohuan se një autoveturë e këtij lloj prodhimi është e vështirë të vidhet dhe të trafikohet, për shkak se sistemi i saj i sigurisë është në shkallën më të lartë të mundshme.
Ndërkaq, policia mori në pyetje pronarin shqiptar të automjetit, i cili pohoi se mjetin ua kishte blerë disa kosovarëve në vlerën e 100 mijë eurove, konform të gjitha rregullave të mundshme.
Sipas këtij të fundit, mjeti ishte blerë në muajin qershor, dy personave kosovarë që e kishin futur mjetin nga pika kufitare e Morinës në Kukës. Policia ka marrë emrat e dy kosovarëve, për të cilët ka nisur hetimin, duke i akuzuar ata për trafik të mjeteve motorike në bashkëpunim.
Ndërkaq, për mjetin e vjedhur të zbuluar nëpërmjet satelitit në qendër të kryeqytyetit, policia mori masën e bllokimit dhe sekuestrimit, duke qenë se ai rezultonte në listën e automjeteve të vjedhura jashtë vendit.