Zbardhen, telefonatat e Franc Konomit
Prokuroria vërejti se nga këqyrja e dy numrave të telefonit të Konomit, është zbuluar se ai kishte komunikim vetëm me miqtë
Hetuesit pohuan se nuk kishin zbuluar kërcënime, apo biseda me persona të dyshimtë të kryera nga i vrari
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, edhe pas delegimit të dosjes në polici për vazhdimin e hetimeve në kërkim të autorëve të vrasjes mafioze të datës 8 korrik 2010 ku mbeti i vrarë shtetasi Franc Konomi, me ndihmën e kompanive të telefonisë lëvizëse ka zbardhur bisedat e fundit dhe mesazhet e shkëmbyera nga viktima me persona të tjerë nga dy numrat që posedonte.
Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës dhe atyre të Drejtorisë së Policisë në kryeqytet, të cilët kanë bërë analizën e tabulateve dhe të dhënave të ardhura nga dy kompanitë telefonike.
Sipas këtyre burimeve, në analizimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse nga dy numrat e përdorura nga Konomi nuk ka ndonjë indicie dyshuese drejt autorëve të vrasjes së datës 8 korrik 2010. "Nga zbardhja e thirrjeve hyrëse/dalëse dhe mesazheve pritëse dhe dalëse të dy numrave që shtetasi Franc Konomi posedonte nuk rezulton të ketë ndonjë dyshim për autorët e mundshëm.
Pasi në asnjërin nga dy numrat që përdorte nuk kishte ndonjë thirrje anonime apo dyshuese për krimin që pasoi. Të gjithë personat që ka komunikuar janë njerëz të afërt ose miq të tij, ndaj të cilëve nuk ka asnjë dyshim për rastin.
Edhe nga zbardhja e mesazheve të dërguara apo pranuar nuk rezulton të ketë ndonjë mesazh kërcënues",-thuhet nga burimet pranë grupit hetimor.
Gjithashtu, edhe gjatë këqyrjes së aparateve telefonike të gjetura në makinë ditën e vrasjes ka rezultuar se brenda tyre nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm apo indicie për hetim.
"Janë verifikuar dhe marrë në pyetje personat me të cilët ka kontaktuar dhe shkëmbyer mesazhe viktima Konomi, gjithmonë ata persona që numrat e tyre nuk figuronin në memorjen e aparateve telefonike dhe kanë rezultuar se janë të njohur të viktimës",-thanë burimet e grupit hetimor të prokurorisë së Tiranës.
Pak ditë më parë, prokurori i çështjes, Blerim Tominaj, pas analizimit të provave dhe të dhënave operative në lidhje me ngjarjen e 8 korrikut 2010 ku mbeti i vrarë Franc Konomi, ka vendosur delegimin e dosjes hetimore për zbulim të autorit të zyrës kundër jetës në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Tiranë.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se të gjitha materialet e dërguara nga Policia në prokurori, janë vlerësuar dhe analizuar me hollësi për ndonjë indicie apo provë që mund të dërgonin drejt ndonjë autori të dyshuar.
"Janë mbledhur prova dhe të dhëna operative në lidhje me pistën e hakmarrjes, trafikut të drogës apo "gjobëvënies" por në asnjë rast nuk ka ndonjë të dhënë konkrete në drejtim të zbulimit. Janë verifikuar edhe tabulatet e telefonit dhe antena e personave të dyshuar për hasmëri dhe pa ndonjë efekt zbulues",-patën deklaruar kohë më parë burimet nga prokuroria.
Sipas të dhënave, babai i dy fëmijëve, Franc Konomi, i njohur nga policia si njëri prej eksponentëve të rrezikshëm të botës së krimit vite më parë, është vrarë pasditen e 8 korrik 2010 në sheshin "Avni Rustemi", rrugës që të çon për te Pazari i Ri. Vrasja është kryer në momentin që po tentonte të dilte nga parkingu anash rrugës me makinën e tij luksoze tip "Mercedes Benz", me targë TR 0626 S, me ngjyrë të zezë.
Dyshohet se personat që e qëlluan për vdekje me 6 plumba kanë qenë dy persona të moshës 25-30 vjeç të hipur në një motor sportiv ngjyrë të zezë me targa greke, të veshur me xhins dhe xhupa "motoristësh" e skafanto (kokore) në kokë, ku pasi kanë shkrepur armën në drejtim të trupit të Konomit janë larguar me shpejtësi.