Lezhë, ekzekutohet këngëtari 25-vjeçar

VRASJA/ Fabian Nika është vrarë pak pas mesnatës sapo ka zbritur nga automjeti me të cilën po lëvizte
Policia ka identifikuar autorin i cili dyshohet të jetë pjesë e rrethit shoqëror të viktimës. Shkak një sherr banal
LEZHË - Është ekzekutuar me armë një 25-vjeçar, këngëtar i mirënjohur në qytetin e Lezhës, si dhe djalë i njërit prej biznesmenëve të kësaj zone. Fabian Tom Boga (Nika), me banim në Shëngjin të Lezhës është vrarë me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së premtes, ndërsa policia ka bërë të ditur se e ka identifikuar autorin e krimit, i cili mësohet të ketë qenë shok i viktimës. Megjithatë, arrestimi i tij nuk ishte bërë i mundur deri në orët e vona të së premtes.
Lezha vazhdon të jetë e tronditur nga ngjarjet e njëpasnjëshme që po ndodhin kohët e fundit, ku vetëm një javë më parë, pas një shkëmbimi zjarri mes policisë e disa të kërkuarve, mbeti i vrarë një 16-vjeçar. Vrasja e së premtes mësohet se ka ndodhur vetëm 300 metra larg nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës.
Vrasja
Ngjarja ka ndodhur pak orë pas mesnatës në lagjen "Besëlidhja" të qytetit të Lezhës, pranë një picerie, përballë bllokut të shkollave të qytetit të Lezhës. Sapo është ulur nga automjeti i tij, 25-vjeçari Fabian Tom Boga (Nika), është qëlluar me armë zjarri.
Duke qenë se ngjarja ka ndodhur pranë Drejtorisë së Policisë, blutë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Djaloshi është marrë me urgjencë dhe është dërguar për në spitalin e Lezhës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore e më pas, për shkak të gjendjes së rëndë, është transportuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Por nuk ka mundur të mbijetojë duke ndërruar jetë. Ndërkohë blutë në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë TT, si dhe një gëzhojë.
Hetimi
Burime jozyrtare kanë bërë të ditur se dyshohet që vrasja e 25-vjeçarit ta ketë zanafillën në një lokal të Shëngjinit. Viktima dhe autori kanë qenë ulur në të njëjtin vend kur ka filluar edhe debati.
Më pas Nika është larguar nga lokali në drejtim të Lezhës, ndërsa dyshohet që të jetë ndjekur po me makinë nga autori deri në momentin që ai ka zbritur dhe më pas është qëlluar. Dyshohet që ngjarja ka qenë për motive banale, por ajo mund ta ketë zanafillën në një konflikt të mëparshëm.
Burimet shprehen se autori dhe viktima, bazuar edhe në deklarimet e marra nga dëshmitarë të ndryshëm, kanë qenë shokë me njëri-tjetrin. Policia, e cila deklaron se ka identifikuar autorin dhe se po punon për kapjen e tij, dyshon se ai është një shtetas me banim në Tiranë dhe se mund të jetë në një rreth shoqëror me viktimën, i cili shumë prej të njohurve të vet i kishte nga kryeqyteti edhe për faktin se ishte këngëtar.
Në paraqitjen e tij të fundit ai u prezantua bashkë me këngëtaren Samanta Karavello me këngën "Të dua". Babai i 25-vjeçarit është një biznesmen i mirënjohur në qytetin e Lezhës, megjithatë burimet nga policia shprehen se vrasja e tij nuk ka lidhje me aktivitetin e të atit.