E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sauditët po financojnë përhapjen e ekstremizmit islamik në Ballkan

Sipas analistëve, fundamentalizmi islamik po kërcënon destabilizimin e vendeve të këtij rajoni

Arabia Saudite po investon me qindra milionë euro për grupet islamike në Ballkan, ku shumë prej tyre përhapin urrejtjen për Perëndimin dhe rekrutojnë ushtarë për xhihadin në Afganistan. Sipas zyrtarëve maqedonas, fundamentalizmi islamik po kërcënon destabilizimin e Ballkanit. Fraksionet “Wahhabi” dhe “Salafi” të themeluara nga organizatat saudite po përplasen me komunitetet e moderuara myslimane në vend. Fundamentalistët kanë financuar ndërtimin e dhjetëra xhamive dhe qendrave komunitare, përveçse i paguajnë disa nga ndjekësit e tyre me një shumë që shkon deri në 300 euro në muaj. Atyre nuk u kërkohet vetëm që të rrisin mjekrën, por të bindin edhe gratë e tyre të veshin niqabin apo të vendosin vellon, një zakon pothuajse i panjohur në traditën liberale islamike të vendeve të Ballkanit. Burime qeveritare në Maqedoni kanë njoftuar se janë duke monitoruar më shumë se 50 vullnetarë të Al-Kaedës të rekrutuar për të luftuar në Afganistan. Dokumente të klasifikuara të analizuara nga “The Sunday Times” tregojnë se funksionarët maqedonas po studiojnë një sërë organizatash bamirësie islamike, disa me qendër në Arabinë Saudite që janë aktive në të gjithë Ballkanin dhe dyshohen për përhapjen e ekstremizmit dhe pastrimin e parave për organizatat terroriste. Një nga grupet nën vëzhgim është “International Islamic Relief Organization” nga Arabia Saudite që gjendet në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara mes organizatave që mbështetin terrorizmin. Edhe pse nuk u është përgjigjur kërkesave zyrtare, ajo ka mohuar përfshirjen në aktivitete terroriste duke i cilësuar akuza të tilla si të pabaza. Sipas asaj që shkruhet në faqen e internetit, veprimtaria e saj është e shtrirë në 32 vende dhe u ofron asistencë viktimave të katastrofave natyrale dhe zhvillon projekte humanitare shëndetësore dhe edukative. “Qindra milionë dollarë janë investuar në Maqedoni vetëm në dhjetë vitet e fundit dhe pjesa më e madhe e tyre vjen nga Arabia Saudite”, tha një burim qeveritar. “Eksporti kryesor i sauditëve duket se është ideologjia dhe jo nafta”. Sulejman Rexhepi, kreu i komunitetit islamik në Maqedoni tha se një numër i caktuar xhamish janë marrë me forcë nga ana e grupeve radikale. Katër prej tyre në qendër të Shkupit nuk janë më nën kontrollin e autoriteteve zyrtare islamike. Imamët e rinj pretendojnë se janë zgjedhur nga populli. “Mësimet e tyre të ashtuquajtura wahabiti janë krejtësisht të huaja për traditat tona dhe esencën e islamit që është një fe tolerante dhe gjithëpërfshirëse”, tha Rexhepi. Në disa xhami, besimtarëve u është thënë se Maqedonia që ka dërguar 200 ushtarë në Afganistan, është mashtruar për të mbështetur një kryqëzatë kundër Islamit të udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Amerika. Ata gjatë gjithë kohës mbështesin idenë se islami luftohet nga Perëndimi. Shumë prej njerëzve nuk shkojmë më nëpër xhamitë lokale që kur ato janë marrë nga ekstremistët. “Pas tërmetit të Haitit imami na tha se Zoti do e ndëshkonte Perëndimin për luftërat në Irak dhe Afganistan me katastrofa natyrale”, thotë një qytetar. Disa prej imamëve e kanë pranuar se financohen nga organizatat qeveritare dhe joqeveritare nga Arabia Saudite, por mohojnë përfshirjen e tyre në aktivitetet kriminale. Shumë organizata maqedonase paralajmërojë se Europa dhe Amerika nuk kanë arritur të njohin problemin gjithmonë e më shqetësues të ekstremizmit islamik në Ballkan.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›