Sauna, përvoja joshëse sensuale
Kënaqësia e një banje në sauna njihet dhe shijohet prej vitesh në mbarë botën. Ky proces sinjifikon nxjerrjen e helmeve nga trupi dhe relaksimin total të trupit dhe mendjes. Kulturat skandinave, ruse, indo-amerikane, aziatike, greke dhe romake i njohin përfitimet e një banje të nxehtë, e cila është mjaft e dobishme për shëndetin dhe trajton sëmundje të ndryshme. Sauna është një eksperiencë sensuale dhe për amerikanët është kthyer në një mënyrë jetese. Ekziston një arsye e vlefshme se pse njerëzit përdorin dhomat me nxehtësi të lartë dhe arsyet janë higjiena dhe qëllimet shëndetësore që në kohën e gurit. Kjo pasi djersitja ka provuar nxjerrjen jashtë nga trupi të toksinave si dhe për të ruajtur një gjendje psikologjike optimale. Vende të ndryshme kanë versione të ndryshme të saunave, duke filluar nga modelet e hershme romake të quajtura “Thermae” e deri te saunat tradicionale japoneze “Onsen”. Në Rusi ajo quhet “Banya” ndërsa në zonat indo-amerikane “Inipi”. Më njohura e të gjitha kohërave është banja turke e quajtur “Hamam” dhe ajo finlandeze.
Efektet
Pastrimi i lëkurës
Një seancë në sauna është shumë më i efektshëm se një dush për pastrimin e lëkurës duke e bërë atë të butë dhe të shëndetshme. Rezultatet janë të menjëhershme. Nëpërmjet lëkurës dalin jashtë pjesa më e madhe e papastërtive. Mënyra e jetesës moderne bën që lëkura të mos jetë aktive sa duhet për të kryer këtë funksion. Një pjesë e madhe e njerëzve nuk djersitin, veçanërisht ne muajt e dimrit. Fibrat sintetike ose rrobat e ngushta nuk e lejojnë lëkurën që të marrë frymë dhe kjo e dëmton atë dhe aftësinë natyrale për eliminimin e papastërtive. Lëkura jonë është e ekspozuar ndaj qindra elementëve kimikë dhe preket në mënyrë të ndjeshme nga ato. Në këto elementë kimikë hyjnë edhe: shampot e trupit, xheli i dushit, locionet, sapunët dhe deodorantët. Përdorimi i rregullt i saunës bën që lëkura të rifitojë aftësitë e saj për eliminimin helmeve nëpërmjet djersitjes.
Qarkullimi i gjakut
Sauna rrit dhe përmirëson qarkullimin e gjakut dhe frymëmarrjen. Sauna është e barabartë me ushtrimet gjimnastikore të ngadalta, djeg 300 kalori për çdo seancë me kohëzgjatje mesatare. Trajtimi i rregullt i saunës i kombinuar me një dietë të shëndetshme dhe ushtrime gjimnastikore të pranueshme do t’u ndihmojë të humbisni peshë dhe të qëndroni elegantë dhe të shëndetshëm. Besohet se ekspozimi i trupit ndaj nxehtësisë stimulon prodhimin e qelizave të bardha të gjakut dhe rrit sistemin imunitar.
Shpërndan dhimbjen e trupit
Stresi është një nga faktorët e shfaqjes së akneve në fytyrë dhe dhimbjeve të trupit. Nxehtësia dhe lagështia e saunës shpërndan dhimbjen dhe relakson muskujt e lodhur. Nëse frekuentoni saunën në mbrëmje muskujt do të shtendosen dhe gjymtyrët do të jenë më të lirshëm. E efektshme sauna është edhe për dhimbjet e artriteve. Këshillohet që saunat në këtë rast të frekuentohen deri në tri herë në javë. Nëse i frekuentoni më shpesh efekti rrezikon të jetë i kundërt.
Ndihmon në humbjen e peshës
Me gjithë eksperiencat negative të humbjes së peshës edhe kur frekuentoni saunën duhet të keni parasysh se duhet t’u nënshtroheni edhe disa rregullave të tjera si dieta dhe ushtrimet gjimnastikore. Fillimisht duhet të gjeni një sauna që të mund ta frekuentoni kur të mundeni. Vendet më të mira në këtë rast janë palestrat ose në qendrat e bukurisë. Shkoni në këto vende dy herë në javë. Seancat nuk duhet të zgjasin më shumë se gjysmë ore. Vendoseni temperaturën e saj në 150 gradë celsius. Me kalimin e kohës shtoni numrin e seancave në javë dhe përpiquni të alternoni orët duke shkuar më pas çdo ditë nga 20 deri në 30 minuta. Në këtë periudhë konsumoni shumë ujë pas dhe para seancës së saunës pasi rrezikoni të dehidratoheni. Shmangni konsumimin e pijeve me gaz. Për çdo 30 minuta do të digjni 300 deri në 500 kalori. Mos ndryshoni temperaturën e saunës sepse do të lodheni dhe humbni fuqinë. Pas djersitjes në sauna duhet të qëndrohet 30 minuta në pozicion horizontal (shtrirë) që organizmi të kthehet në normalitet.
Personat që nuk duhet t’i frekuentojnë saunat
Për shkak të rrezikut, nuk preferohet që gratë shtatzëna dhe personat që kanë probleme me tensionin e gjakut, temperaturë të lartë, infeksione të lëkurës, tuberkuloz, sëmundje malinje të frekuentojnë saunat. E pakëshillueshme sauna është edhe për personat e moshuar dhe fëmijët, pasi rrezikojnë të dehidratohen më shpejt. Sauna është një sfidë dhe për këtë arsye nuk duhet të hyni me stomakun plot apo pa konsumuar minimalisht diçka. Është e ndaluar të përdoret alkooli sepse rrezikon skuqjen e lëkurës dhe zgjerimin e madh të enëve të gjakut.
ǒështë sauna
Sauna është një ambient i vogël ose shtëpi e projektuar për marrjen e nxehtësisë së thatë ose të lagësht nëpërmjet seancave.
Më të njohurat janë saunat finlandeze. Fjala “sauna” përdoret në mënyrë të figurshme për të përshkruar të nxehtin e madh apo mjediset me lagështirë. Sauna është një ambient jo shumë i madh, me nxehtësi të përcaktuar dhe gurë të nxehur në një temperaturë më të lartë. Uji derdhet nëpërmjet një ene të vogël sipër gurëve të nxehtë për të krijuar avull. Ky avull rrit temperaturën aq shumë sa njerëzit nuk mund të qëndrojnë me rroba. Vendi ku u përdor për herë të parë saunë është Finlanda. Finlandezët në ditët e sotme e përdorin saunën çdo ditë. Nëse nuk keni një hapësirë të përshtatshme në shtëpinë tuaj, improvizoni një sauna të thjeshtë. Në banjën tuaj mbushni një vaskë me ujë të ngrohtë deri në 38 gradë celsius dhe shtoni shkumën për larje. Uluni në skaj të saj sepse banja do te jetë e lagësht dhe 5 minutash bëni pilling me kokrriza. Më pas futuni në vaskë për të larguar papastërtitë. Pas kësaj bëni një dush me ujë të vakët dhe do të dalloni rezultatet.
2 Maj 2009