E Diel, 1 Nëntor 2026

Produktet vetënxirëse sjellin dielli brenda në shtëpi



Një lëkurë e bronztë pa u ekspozuar në diell është e mundur të arrihet. Produktet vetënxirëse na mbrojnë nga rrezet e dëmshme të diellit dhe nga rreziqet e plakjes së lëkurës.
Jeni gati për të shkëlqyer në breg të detit? Për të arritur këtë filloni me produktet vetënxirëse dhe do keni një lëkurë ngjyrë çokollatë pa u ekspozuar nën rrezet e diellit.
Produktet
Dy janë molekulat bazë të “magjisë vetënxirëse”: DHA dhe erythrulose. DHA-ja i jep lëkurës ngjyrën e verdhë, ndërsa erythrulose nuancën kafe. Bashkimi i këtyre dy ngjyrave, i jep mundësinë lëkurës që të përfitojë një ngjyrë të bronztë natyrale. Vetënxirësit më të mirë përmbajnë vitamina mbrojtëse dhe hidratantë, që shmangin tharjen e lëkurës. Zgjidhni produktet që përmbajnë filtra solarë. Aplikimi i vetënxirësit kërkon një fazë parapërgatitore. Për të mos u gabuar, provoni mbi lëkurë disa lloje kampionesh produkti në pjesën e brendshme të krahut për të gjetur atë produkt që përshtatet për ju. Para se të vendosni produktin, bëni një masazh të lehtë për t’i dhënë lëkurës një ngjyrë uniforme.
Përhapja
Estetistët shpjegojnë se di duhet ta përhapni vetënxirësin edhe në fytyrë. Filloni nga qendra e lëkurës, duke lëmuar me kujdes faqet. Shmangni kontaktin me sytë dhe zbrini në mënyrë delikate drejt qafës dhe dekoltesë dhe përhapeni me shumë kujdes në zonën e veshëve. Insistoni në zonën e mollëzave, hundës dhe ballit. Në fund pastroni me një pambuk të lagur zonën e vetullave dhe rrënjët e flokut. Ndërsa për ta përhapur vetënxirësin mbi trup aplikojeni produktin me të gjithë dorën, por me butësi duke u ngjitur nga këmbët tek kofshët, tamam sikur jeni duke veshur një çorape. Mos e kaloni produktin dy herë në të njëjtin vend. Përfundoni duke kaluar një dorezë të lagur në zonën e kaviljeve, gjunjëve dhe bërrylave. Mos harroni pjesën e poshtme të këmbëve. Tregoni vëmendje sidomos në zonën e këmbëve, që këtë vit duhet të jenë super të nxira. Së fundmi shpëlani mirë duart dhe thonjtë dhe prisni dhjetë minuta para se të visheni.

Çfarë lloji të zgjidhni

Këtë vit, markat kozmetike ofrojnë një gamë të madhe produktesh. Mund të zgjidhni mes kremit, qumështit, sprajit, xhelit etj.
Spraji: është i lehtë për t’u përdorur dhe të lejon një përhapje uniforme. Veprimi është i shpejtë, aplikimi është efikas. Nuk këshillohet në zonën e fytyrës.
Xheli: të jep një ngjyrë më natyrale, por duke qenë se është transparent, bëni kujdes se mos harroni disa pjesë të trupit. Është i këshillueshëm për lëkurat e yndyrshme.
Qumështi: është produkti ideal për fillestarët. Aplikohet shumë lehtë dhe hidraton lëkurën.

Cilat janë efektet anësore

Nuk ka asnjë efekt anësor. Edhe gratë shtatzëna mund të përdorin produktet vetënxirëse, sepse agjentët aktivë nuk depërtojnë në dermë. Kini parasysh që vetënxirësit në përgjithësi nuk të mbrojnë nga dielli, përveçse në ato raste kur përmbajnë filtra solarë.

Si ta ruani ngjyrën

Produktet vetënxirëse veprojnë në dy orë dhe ngjyra zhduket pas disa ditësh. Për të marrë një efekt natyral aplikojeni vetëm një herë, fshijeni pas disa orësh dhe përsëriteni veprimin pas dy ditësh. Shmangni sapunët shumë agresivë ose produktet me bazë alkooli, që pastrojnë grimin. Një mundësi tjetër: alternoni dy ngjyra, një më të qartë dhe një më të errët që efekti të jetë më i bukur.

Si të trukoheni

Për të qenë sa më efikas, vetënxirësi duhet të aplikohet në një lëkurë në formë e të shëndetshme. Nëse keni lëkurë të lodhur, vetënxirësi nuk do të ndryshojë asgjë! Për të unifikuar ngjyrën, hidratoni mirë lëkurën.

Para se të blini kremin solar zbuloni si funksionojnë rrezet ultraviolet dhe infra të kuqe

Rrezet ultra violet
Të gjithëve na pëlqen dielli, por ai mund të na bëhet “armik”. Për tu mbrojtur sa më mirë nga rrezet e dëmshme të diellit, para se të blini kremin solar zbuloni si funksionojnë rrezet ultraviolet dhe infra të kuqe.
Diferenca e rrezeve
Rrezet ultraviolet (UV) janë rreze elektromanjetike, nga ku gjatësia e valës është midis dritës së shikueshme dhe rrezeve X. Rrezet infra të kuqe (IR) kanë gjatësi vale më të madhe se ajo e dritës së shikueshme. Ekzistojnë valë UV të ndryshme siç janë: UV-A, UV-B, UV-C. Valët më të rrezikshme janë ato UV-C, të cilat nuk e arrijnë sipërfaqen tokësore, por thithen nga atmosfera. Rrezet UV-B të cilat kanë gjatësi vale mesatare, nuk i kalojnë shtresat sipërfaqësore të lëkurës. Ndërsa 95 për qind e rrezeve UV që arrijnë sipërfaqen e tokës janë ato UV-A.

Pasojat në lëkurë
Rrezet UVB reagojnë në epidermë duke stimuluar melaninën, një pigment i errët që i jep ngjyrë lëkurës dhe e mbron atë nga rrezet e diellit. Rrezet UVA, penetrojnë më në thellësi të dermës dhe janë përgjegjëse për plakjen e lëkurës, pasi dëmtojnë fibrat e elastinës dhe të kolagjeneve. Rrezet IR penetrojnë në thellësi të shtresave të epidermës. Ato nuk të nxijnë shumë, por provokojnë bllokim të venave gjakore, që mund të bëhet shkak për probleme të qarkullimit.

Veçantia e rrezeve
UVB-Pro: të domosdoshme për sintezën e vitaminës D, që fikson kalciumin në kocka dhe ka një rol të rëndësishëm për strukturën e epidermës, por ndihmon edhe në nxirje.
UVB-Kundra: mund të shkaktojnë mutacione në strukturën e qelizave.
UVA-Pro: kanë funksion nxirës të menjëhershëm, por të përkohshëm.
UVA-Kundra: provokojnë plakjen e lëkurës duke prodhuar radikalet e lira. Në këtë mënyrë shfaqen rrudhat dhe njollat e fytyrës.
IR-Pro: japin një ndjesi të këndshme nxehtësie.
IR-Kundra: dehidratojnë dhe thajnë lëkurën.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›