E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Palm Pre” më i lirë se “iPhone”



Çmimi prodhues i “Palm Pre” sipas analizës së iSuppli është dukshëm më i lirë se çmimi i prodhimit të iPhone 3G para dhjetë muajsh. Edhe pse nuk ka të dhëna konkrete se si është krijuar “Pre”, parashihet se çmimi i të gjithë komponentëve të përfshirë të mos i kalojnë 138 dollarë amerikanë. Pjesët më të shtrenjta të telefonit janë ekrani multi-touch, i cili kushton 40 dollarë, memoria 8 GB e cila kushton 16 dollarë dhe procesori prej 11 dollarësh. Fotoaparati me rezolucion prej tre megapikselash e prodhuesit kushton 12 dollarë. Në përllogaritje nuk janë përfshirë çmimi i zhvillimit të telefonit, marketingu dhe faktorë të ngjashëm. Sa për krahasim, çmimi prodhues i një iPhone 3G pas paraqitjes së tij ishte vlerësuar në 174 dollarë. Thashethemet e fundit si datë të daljes në treg të “Palm Pre” përmendin 7 qershorin, dy ditë para datës së pritur të lansimit të gjeneratës së ardhshme të popullarizuarit iPhone.

“Samsung I7500”, celulari i parë me Android

Samsung zyrtarisht ka paralajmëruar modelin “I7500” i cili do të jetë celularin e parë të tij të bazuar në sistemin operativ Android të kompanisë “Google”. Telefoni do të ketë dimensione prej 115 x 56 x 11.9 milimetrash, ekran 3.2 inçësh AMOLED me rezolucion prej 320 x 480 pikselash ndërsa fotoaparati do të jetë prej pesë megapikselash me auto-fokus. Përveç lidhjeve Wi-Fi, Bluetooth e USB, celulari do të ofrojë 8 GB të hapësirës për ruajtjen e dhënave dhe qasje microSD për kartelat e memories me anë të cilave do të mund të zgjerohet shtesë kapaciteti. Samsung nuk e ka publikuar çmimin, mirëpo paraqitja e tij në tregun europian është paralajmëruar për muajin qershor të këtij viti.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›