E Diel, 1 Nëntor 2026

Savjana Vjerdha rikthehet në Fest 64: Festivali mbetet një skenë prestigjioze

Këngëtarja Savjana Vjerdha do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar me  këngën “ID“.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, artistja ndau emocionet e pjesëmarrjes dhe detaje rreth krijimit muzikor.

“Është një këngë shumë e ndjerë dhe shumë emocionale, me tekst domethënës. Mendoj se çdo njeri e ka kaluar një eksperiencë të tillë, një dashuri që shkon dhe vjen. Kompozitori, tekstshkruesi dhe orkestruesi kanë krijuar një kombinim shumë të bukur. Kënga ka ardhur pas një kontakti që kam pasur me maestro Klodian Qafokun, pasi i kërkova një këngë nga “perlat” e tij që ai ka. Ai më ka sugjeruar këngën duke u bazuar te vokali im, pasi faktikisht vokali im balladat i përballon shumë mirë. Por duhet të përmendet edhe tekstshkruesi Ilirjan Zhupa, i cili ka bërë një tekst shumë të mirë. Jam shumë e lumtur që kam marrë një ndër tekstet e tij“, tha këngëtarja.

Këngëtarja vlerësoi se Festivali mbetet një skenë prestigjioze, ku çdo këngë duhet të jetë e denjë për t’u prezantuar.

“Të them të drejtën, është një këngë shumë e bukur dhe i përgëzoj të gjithë autorët. Festivali i Këngës në RTSH është një festival që bëhet për t’u dëgjuar. Unë dhe vetë kur nisa ta dëgjoja këngën, tekstin dhe interpretimin tim, realisht ishte një emocion i madh. Kam bërë një pushim të madh nga festivali, sepse doja një këngë që ia vlen dhe që më rri mirë mua personalisht. Nëse nuk e ndjej vetë, nuk e marr përsipër. Jam shumë e emocionuar. Është një përgjegjësi e madhe dhe uroj të dal sa më mirë”, u shpreh ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›