E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja e bandës së Durrësit ndaj Gaxhait

Një vajzë u bë dashnorja e Marsel Sotirit, për të njoftuar për lëvizjet e tij dhe të Eduart Ongarit, që strehuan Arben Pajën e Ilir Xhungën


I penduari Coli, rrëfeu dje krimet pas vrasjes së dy anëtarëve të tyre Gazmend Braka e Viktor Ymeri


TIRANË- I pandehuri Adriatik Coli, tashmë edhe me statusin e të penduarit të "bandës" së Durrësit, vazhdoi edhe ditën e djeshme me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të rrëfejë para togave të zeza pesë vrasjet e ndodhura në qytetin bregdetar të Durrësit në emër të "bandës", ndërsa mënjanoi veten në kryerjen e këtyre krimeve.


Ky mënjanim i vetvetes nga ana e të penduarit, ka shkaktuar reagimin e të pandehurit Lulëzim Berisha.


Ai ka thumbuar në mënyrë ironike "ish-ushtarin" e tij, duke i thënë se "po hë bëjë një vrasje ti për mua, se të gjitha i paskan bërë të tjerët", duke reaguar pas dëshmisë së tij për disa vrasje për llogari të bandës. Në asnjë rast gjatë dëshmisë së tij Coli, edhe pse më herët, kishte deklaruar se ka qëlluar edhe vetë mbi viktimat, këtë radhë ai përjashtonte vetën duke ia atribuuar vrasjet të pandehurve të tjerë.


Ndërkohë, gjatë dëshmisë së djeshme, i penduari përmendi edhe disa emra të rinj, të personave që e kanë ndihmuar atë dhe "bandën" e Durrësit të funksionojë si një organizatë.


Për ata avokatët i kërkuan llogari organit të akuzës, për arsyen e mos marrjes së tyre si të pandehur dhe dëshmitar në këtë proces penal. Kërkesë kjo që mbeti pa përgjigje, pasi gjykata i kërkoi mbrojtësve se në fazën e kërkesave të tyre të parashtrojnë edhe këto pretendime.


Seanca nisi në orën 9:00 të mëngjesit e deri në 16:00 të pasdites në sallën nr....................... Përballë trupit gjykues ishte ulur i penduari Adriatik Coli. Ai nuk ngurroi të rrëfejë pesë vrasjet, rrëmbimin e një vajze dhe trafikun e drogës të kryer nga pjesëtarët e kësaj "bande" ku edhe vetë kishte qenë pjesë.
Gaxhai vrau dy anëtarë të bandës


Rrëfimi i Colit ka vazhduar aty ku kishte mbetur të hënën e kaluar, pas plagosjes së tij dhe të fejuarës nga "banda" e Marsel Sotirit, konkretisht nga Erjon Lame dhe Alban Selishta. Ngjarje kjo e ndodhur në mes të muajt nëntor të vitit 1998 në Durrës.


Më pas, në dëshminë e tij, Coli ka vazhduar të tregojë ngjarjet e ndodhura pas plagosjes së tij, ku gjatë verës "bandës" i ishte bashkuar edhe Julian Meçe e Arben Paja, i cili ishte shok me Ilir Xhungën.


"Një nga ditët e verës së vitit 1999, aty rreth orës 17:00 ndodhesha në banesën e Ylli Shabës sipër "Muzeumit" duke bërë stërvitje, kur dëgjuam për pesë minuta të shtëna armësh. Shkuam te banesa Lul Berishës dhe gjetëm Klodian Saliun duke qarë, ku dhe na njoftoi se 50 metra pa hyrë në Spitallë janë vrarë Ilir Xhunga e Arben Paja.


Këtë vrasje e morëm vesh se e kanë kryer Gaxhai dhe Viktor Ymeri të shoqëruar nga Marsel Sotiri dhe "banda" e tij, që ishin strehuar në banesën e Eduart Ongarit"-tha Coli, duke shtuar se me arrestimin e Gaxhait hakmarrja ndaj tij dhe "bandës" që ai drejtonte u shua. Pas kësaj vrasjeje, Coli rrëfeu se "banda" po gjente mënyra për të vrarë Marsel Sotirin e Eduart Ongarin, duke futur kështu në lojë një vajzë e cila pranon të bëhej dashnorja e Sotirit për të treguar lëvizjet e tij.


Falë "dashnores" së tij "banda" kishte mësuar itinerarin e lëvizjeve të Marsel Sotirit të cilin e ekzekutuan vetëm pak ditë pas vrasjes së Eduart Ongarit, vrasje kjo e ndodhur në një lokal në qendër të Durrësit, gjatë muajit korrik 1999.


Lul Berisha organizoi vrasjen e Eduart Ongarit


"Vrasjen e Eduart Ongarit e organizoi Lul Berisha e Klodian Saliu, pasi Edi kishte strehuar në banesë njerëzit e "Gaxhait" me porosi të Marsel Sotirit. Këtë vrasje e kanë kryer Indrit Taullaj, Lulëzim Berisha, Klodian Saliu dhe unë që i prisja në makinë.


Një javë pas kësaj ngjarjeje, po këta katër persona bashkë me mua bëmë vrasjen e Marsel Sotirit në afërsi të rrugës që të dërgon tek pista "Iliria""-theksoi Coli.


Pas kësaj vrasjeje, sipas dëshmisë së Colit, i pandehuri Berisha kishte marrë me qira një anije 500 tonëshe nga një qytetar nga Fieri, të cilën ia kishte dhënë që të punonte një durrsaku, i cili dërgonte klandestinë e drogë në Itali dhe i paguante çdo muaj qiranë të pandehurit Berisha. Pak kohë më pas, sipas të penduarit, Berisha, Saliu, Plarent Dervishaj ikën në Itali, ku më vonë ika edhe unë.


"Në Itali qëndrova tre muaj dhe u ktheva në Shqipëri ku punoja si murator. Mësova se Saliu, Berisha, Dervishaj dhe Taullaj kishin jetuar në Ravena të Italisë, ku Berisha shfrytëzonte një vajzë nga veriu si prostitutë ndërsa Taullaj ish-dashnoren e Sotirit që e futi në kurth këtë të fundit.


Në Itali Berisha u arrestua për llogari të Gjermanëve dhe u ekstradua atje, ku qëndroi për një vit e ca. Në vitin 2000 Saliu u kthye në Shqipëri bashkë me Dervishajn dhe Taullajn dhe merreshin me trafik droge.


Në këtë kohë është afruar në "bandë" edhe Endrit Dokle",-tha Coli në dëshminë e tij. Më pas dëshmia konsistoi në vrasjen e Mehmet Saliut, kushëririt të Lulëzim Berishës dhe Bujar Gashit, ku ky i fundit u afrua me "bandën" pas kësaj vrasjeje.


"Vrasjen e Mehmet Saliut e ka kryer Erjon Lame i cili shoqërohej me Dritan Dishën në atë kohë, shok i Marsel Sotirit. Në këtë kohë organizuam vrasjen e Tan Dishës pasi ky rrinte me Erjon Lamen. Në këtë vrasje kemi marrë pjesë, unë Adriatik Coli, Endrit Dokle, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi.


Vrasjen e kemi kryer në fillim të muajt korrik të vitit 2000 në Shënavlash të Durrësit",-tha Coli, dëshmia e të cilit u ndërpre nga Gjykata për të vazhduar të hënën e ardhshme në ora 9:00 të mëngjesit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›