Tenton të vrasë të birin, arrestohet
KORÇË/ Policia ka vënë në pranga Fredi Salinë, pasi përplasi të birin vetëm 40-ditësh me forcë përtokë
Burime nga blutë bënë të ditur se gjithçka ka ndodhur në kohën që kryefamiljari ishte në gjendje të dehur
KORÇË- Tenton të vrasë të birin vetëm 40-ditësh, ndërsa ka përfunduar në pranga 33-vjeçari Fredi Saliu. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Libonik të Korçës të mërkurën, ndërsa kryefamiljari është arrestuar mëngjesin e së enjtes.
Si shkak shihet të ketë qenë një grindje mes çiftit bashkëshortor Fredi Sali, 33 vjeç, dhe Valentina Zariqi, 23 vjeçe. Fëmija me inicialet Xh.S. i cili kishte vetëm 40 ditë jetë, ka përfunduar në spitalin pediatrik me dëmtime të rënda në pjesën e pasme të kokës, ndërsa ndaj babait është ngritur akuza e "plagosjes së rëndë me dashje".
Ngjarja
Prej disa ditësh Fredi Sali nuk po gjente punë si hamall ose në ndërtim si bënte zakonisht, ndërsa ka shkuar në gjendje të dehur në shtëpi. Atje ai ka nisur të grindet me të shoqen sepse nuk i kishte përgatitur asgjë për të ngrënë. Pas grushtave që i ka dhënë së shoqes, ai ka rrëmbyer foshnjën që ishte duke fjetur, duke e përplasur në tokë me forcë dhe më pas është larguar nga shtëpia.
Menjëherë 23-vjeçarja ka kërkuar ndihmë te disa bashkëfshatarë duke e transportuar fëmijën në spitalin pediatrik të Korçës. Sipas bluzave të bardha, nga dëmtimet serioze që ka pësuar fëmija në kafkë, jeta e tij është ende në rrezik.
Policia ka mundur të prangosë gjatë mëngjesit të së enjtes 33-vjeçarin nën akuzën e "plagosjes së rëndë me dashje". Ndërkaq, kryefamiljari ka rrëfyer se në momentin e ngjarjes ishte në gjendje të dehur dhe fëmija i ka rënë nga dora.
Hetimet
Policia e Korçës, pasi ka marrë njoftimin për ngjarjen nga drejtues të spitalit pediatrik, ka dërguar forcat e saj në fshatin Libonik. Ata kanë marrë dëshminë e nënës së re, e cila ka rrëfyer për veprimin që është kryer duke rrezikuar jetën e foshnjës 40-ditëshe.
Pas disa orësh, blutë kanë mundur të prangosin autorin e ngjarjes, i cili ndodhej larg fshatit. Nga hetimet paraprake rezulton se shkak për zënkat e shumta mes bashkëshortëve ka qenë varfëria e tejskajshme. Banesa në të cilën Fredi Sali jetonte me gruan e tij Valentina Zariqi përbëhet nga katër muret me një çati gjysmë të rrëzuar, si dhe pa xhama. Ndërkaq, dhe dera kryesore e banesës mungon.
Vetëm një dhomë në të cilën ndodhet një shtrat dhe një bufe e thjeshtë janë e gjithë pasuria e çiftit, ndërsa dhoma tjetër pa suva ka një stofë të vjetër druri në të cilën gatuhet rrallëherë.
Rëfimi i gjyshes: Im bir e donte djalin e tij
Gjyshja 60-vjeçare e foshnjës, Sofia Sali, tregon se djali i saj ishte shumë i lidhur me të birin. Për të ai ka qenë shumë i rëndësishëm, madje ai i ka vënë dhe emrin e babait të vet të vdekur shumë kohë më parë. "Nuk arrij ta besoj që im bir të ketë kryer këtë veprim.
Ai nuk mund t'i bënte dot keq askujt, dhe aq më tepër fëmijës së vet. Nuk di si ka ndodhur, por di që ai ka shkuar i dehur në shtëpi pasi nuk ka mundur të gjejë dot punë. Grindjet me gruan kanë qenë të vazhdueshme edhe për faktin se i vetmi që përpiqej të mbante familjen ishte ai. Uroj që fëmija të shpëtojë sa më parë", rrëfen me lot në sy e moshuara.
Edhe banorët e fshatit Libonik janë shprehur se janë të shokuar nga ngjarja. Një veprim i kësaj natyre për ta nuk mund të pranohet kursesi, ndërsa nuk arrijnë ta besojnë që i arrestuari ta ketë kryer aktin e rëndë kriminal të tentativës për të vrarë djalin e tij.