E Hënë, 2 Nëntor 2026

Schieder: SPAK, edhe më i pavarur se institucionet homologe në BE

TIRANË, 31 tetor/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder deklaroi sot se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është një institucion edhe më i pavarur sesa institucionet homologe në Bashkimin Europian.

Gjatë një konference për shtyp, nga Shtëpia e Evropës, Schieder foli për Reformën në Drejtësi dhe punën e SPAK, ndërsa theksoi se Shqipëria ka zgjedhur mënyrën më radikale për ta bërë këtë reformë.

“Kam ndjekur procesin e Vetting-ut nga fillimi nga media dhe Parlamenti Europian. Duke qenë se shohim edhe vendet e tjera që kanë zgjedhur mënyra të tjera për ta bërë Reformën në Drejtësi, Shqipëria ka zgjedhur mënyrën më radikale për modernizimin e  sistemit gjyqësor përmes procesit të vetting-ut. Që do të thotë, të kontrollosh gjithkënd nëse janë apo jo në përputhje me kushtet teknike të formimit profesional etj.”, shtoi ai.

Schieder theksoi se ky është një proces shumë i matshëm dhe radikal, që ka kushtuar, pasi u shtua radha e çështjeve që duheshin trajtuar.

Por, sipas tij, tani Shqipëria është në momentin kur ka të rinj që hyjnë në sistem dhe tani duket rezultati i reformës.

Duke folur për SPAK, Schieder theksoi se ai është një institucion komplet i pavarur.

“Është më i pavarur se të gjitha këto institucionet e tjera të ngjashme me vendet e BE-së. Ka një nivel të lartë pavarësie. Sigurisht që kjo shkakton shumë diskutime. Varet edhe nga kush preket nga çështjet me të cilat merret SPAK. Kam dëgjuar shumë kritika ndaj SPAK-ut. Kam dëgjuar kritika nga disa që janë edhe nën hetim nga SPAK, që e kritikojnë SPAK që nuk e kupton se duhet të hetojë më shumë persona nga partitë e tjera”, shtoi Schieder.

Në këtë drejtim, Schieder u shpreh se “politikanët nuk duhet të gjykojnë çështjet, pasi  prandaj kemi ekspertë, prokurorë e gjyqtarë, prandaj kemi SPAK-un”.

“Duhet t’ua lëmë atyre të bëjnë punën dhe duket se puna po vazhdon. Sigurisht SPAK nuk mjafton. Çështjet duhet të shkojnë në gjykatë dhe ajo vendos, por duhet të shohim se puna e SPAK ka një impakt, ka efekte, sepse tashmë është shumë e qartë se kushdo mund të procedohet. Nuk ka rëndësi nëse je politikan, biznesmen, qeveritar apo gazetar. SPAK mund të të procedojë dhe e mira është që të mos procedohesh. Për këtë nuk duhet të kryesh asnjë lloj akti kriminal apo penal”, shtoi Schieder.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›