Scorsese-Di Caprio, udhëtim në ankth

Prej vitesh formojnë një factory të vërtetë të ekranit të madh. Fryt i një miqësie që është edhe një bashkëpunim shumë i ngushtë profesional dhe që tashmë ka prodhuar filma të nivelit shumë të lartë si The Departed. Tash janë bashkë në filmin Shutter Island. Film më i errët, më noir, më i pasur me citime kinofile s’ka ku të shkojë më. Është historia e një ishulli në të cilin janë ngujuar kriminelët e sëmurë mendorë dhe e një polici që është thirrur në vendin e ngjarjes për të hetuar zhdukjen e njërit prej tyre.
E nëse Scorsese e definon filmin “një udhëtim në frikën dhe në paranojën që shpërthente në vitet pesëdhjetë, kohë në të cilën kanë jetuar e që sot është përsëri shumë e fortë”, aktori-ikonë i tij nënvizon se jemi përballë një vepre “mix gjinish të ndryshme, nga horrori gotik te trileri psikologjik. Po që mbi të gjitha është një tragjedi thellësisht njerëzore, që flet për dhimbjen, kuptimin e humbjes. Me Martin-in jemi futur përnjëmend në ekstremet e sjelljes njerëzore: për mua, ka qenë sigurisht roli që më ka kërkuar më së shumti angazhim, rol më dark, që kam luajtur ndonjëherë. Dhe që më ka prekur thellë në zemër”.
I nxjerrë nga një roman i Dennis Lehane i Mystic River, ende i pabotuar në Amerikë, i gatshëm të zbarkojë pas pak ditësh në Festivalin e Berlinit, Shutter Island ka për protagonist policin Teddy Daniels (Leonardo di Caprio), i cili me kolegun Chuck (Mark Ruffalo) arrin në ishullin në të cilin e ka selinë një çmendi kriminale, e drejtuar nga doktori Cawley (Ben Kingsley) dhe nga doktori Naehring (Max Von Sydow). I rrahur nga era dhe shiu, në prag të një uragani, ky vend është aq i errët dhe i hallakatur për shkak të zhdukjes së një vrasësi, Rachel Solando (Emily Mortimer). Jemi në vitet '50 të gjahut në shtriga. E ky është vetëm fillimi i një udhëtimi në ferrin e mendjes njerëzore, me heroin tonë të çmeritur nga vdekja e gruas (Michelle Williams).
Një film që i ka një borxh eksplicit traditës së madhe noir të epokës së artë të kinemasë. Diçka që Scorsese nuk e fsheh: “Nuk e kondiseroj veten në nivelin e një Fritz Lang - shpjegon – por është e vërtetë se Shutter Island futet në po këtë traditë. Në veçanti më kanë ndikuar regjisorët e emigruar në Hollywood nga Austria apo Gjermania, si Otto Preminger: jo rastësisht, filmi i parë që i kam detyruar ata të kastit tim ta shohin është Laura e tij. Pastaj Zinxhirët e fajit të Jacques Tourneur".
E ndër aspektet që filmi ka të përbashkët me “klasikët” e noir është edhe raporti mes emocioneve, dhimbjes individuale dhe shpërthimit të dhunës: “Më ka tërhequr menjëherë personazhi i Teddy – shpjegon Scorsese – një njeri karakteri i të cilit është formuar përmes dhunës. Kjo na bën të reflektojmë mbi atë se kush jemi ne si qenie njerëzore dhe se sa ka dhunë brenda nesh”. Di Caprio konfirmon: "Ma ha mendja se këto personazhe të mëdha të Martin-it, e kemi fjalën edhe për ata të një Taxi driver apo të një Demi të tërbuar, janë të përbashkuar nga të qenit të dhunshëm nga natyra: dhuna është vuajtje e brendshme, që pastaj kthehet kundër botës”.
Shkëmbime opinionesh, këto, që bëjnë të nuhasim shkallën e mirëkuptimit që të dy personazhet – regjisori veteran, divi biond dhe bukur më i ri – kanë arritur tashmë, në bashkëpunimin e tyre të katërt (të mëparshmet janë Gangs of New York, The Aviator dhe The Departed). "Martin ka aftësinë e madhe të rrallë për të besuar në ty si aktor – thotë Leonardo – të punosh me të është një përvojë e thellë, një burim i thellë frymëzimi”. “Besimi mes nesh rriet gjithnjë e më shumë – ia mban ison Scorsese – e kësaj here kemi pasur mundësinë të shkojmë përnjëmend larg, përnjëmend përtej, në aspektin e emocioneve dhe gërmimit psikologjik”. E mes këtyre emocioneve është edhe frika, që regjisori pohon se e njeh mirë: “Jetoj me të për çdo ditë të lume, megjithatë duke kërkuar të mos jetoj prore në frikë. Ajo më e madhja, sidoqoftë, është t’ua lë fëmijëve të mi një botë si jona”.
Tone pesimistike, të cilave iu ri si kundëraltar entuziazmi i Di Caprio-s për betejat ambientaliste: “Ka trembëdhjetë vite që merrem me të, por kurrë nuk bëhet mjaft”. Ndërsa në nivel personal, ambicia e tij është një tjetër: “Të mundohem të arrij në nivelin e aktorëve si Robert De Niro, James Dean apoo Montgomery Clift, nga të cilët jam frymëzuar që kur, 15 vjeçar, kam fituar rolin tim të parë si protagonist. Mendoj se do të më duhet e tërë jeta për këtë”. E sa u përket roleve që preferon, pohon: “Jam tërhequr përherë nga personazhet tragjike, të hallakatur, paksa dark: janë ato që më prekin”. E që i prekin edhe spektatorët, posaçërisht nëse regjisor është një Scorsese.
(Përktheu: Arben Idrizi)