Libanezët të bashkuar kundër Izraelit
Aeroplanët e Izraelit po cenojnë për çdo ditë hapësirën ajrore të Libanit, duke krijuar kështu një situatë tejet të rrezikshme, deklaroi sot kryeministri i Libanit, Saad Al Hariri.
“Për çdo ditë po dëgjojmë kërcënime të vazhdueshme nga ana e Izraelit dhe jo vetëm kërcënime. Po e shohim se çka po ndodhë në terren dhe në hapësirën tonë ajrore dhe kjo po ndodhë vazhdimisht gjatë dy muajve të kaluar. Për çdo ditë kemi aeroplanët izraelitë, të cilët po hyjnë në hapësirën tonë ajrore”, tha Hariri në intervistën dhënë BBC-së.
“Kemi këtu një eskalim dhe kjo është një gjë tejet e rrezikshme”, shtoi ai.
Hariri më tutje tha se i frikësohet mundësisë së një lufte të re me Izraelin, por shtoi se libanezët do të jenë të bashkuar kundër Izraelit.
Edhe Siria ka akuzuar javën e kaluar Izraelin se është duke e lëvizur rajonin e Lindjes së Mesme drejtë një lufte të re.
Ministria e Jashtme e Izraelit reagoi menjëherë, duke theksuar se Siria do të mposhtet dhe se presidenti i këtij vendi, Bashar Al Assad do të humbë pushtetin, në rast të një konflikti të ri me Izraelin.
Megjithatë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu më pas synoi të qetësojë Sirinë, duke theksuar se Izraeli dëshiron paqe.