Kineastët, tregtarë apo krijues!?
Të rralla janë ato kinematografi kombëtare, sidomos nga korpusi i të ashtuquajturave kinematografi të vogla, sikurse që është edhe kinematografia shqiptare, e cila, prej 14 filmave artistikë, 40 dokumentarëve, 15 filmave vizatimorë që prodhonte në vit (sipas një interviste të ish-drejtorit të Kinostudios “Shqipëria e re” - Piro Milkanit, dhënë autorit të këtij shkrimi dhe studiuesit Abdurrahim Myftiut), që prodhoheshin në kohën e komunizmit, ra në 2 filma artistikë, tre-katër filma dokumentarë e po kaq vizatimorë. Kështu ndodhi me kinematografinë shqiptare, e cila në kohën e diktaturës, mesatarisht, i realizoi mbi 10 filma artistikë, kishte rreth 3 milionë banorë dhe, njëkohësisht, një rrjet prej 100 kinemash! Kjo pati numrin rekord prej 500 mijë shikuesish vetëm për një film. Në këtë plan, kurrë më nuk e përsëriti veten dhe kurrë nuk erdhi në gjendjen e mëparshme në aspektin sasior.
Pas vitit 1990, kineastët ishin më të lirë, por ishin më të varfër për të realizuar filma. Në vend të shtrëngesës së censurës ideologjike, i shtrëngoi censura ekonomike e mospasjes. Madje, Kinostudioja “Shqipëria e Re”, e cila kishte laboratorin, sallat e sinkronizmit dhe tërë potencialin e prodhimtarisë së filmave, për një kohë të shkurtër, ra tërësisht, për të mbetur vetëm me produksionin e filmave vizatimorë. Një pjesë e mjediseve të kësaj kinostudioje u tjetërsuan.
Të tjerat mbetën gjysmë-rrënoja, kurse të tjerat e ndryshuan dedikimin. Me shpresë se do të bëhet më mirë dhe duke pritur kot se të tjerët do të investojnë në teknikën dhe teknologjinë e kinostudios, në vend se të përtëritej teknika e vjetruar kineze dhe ruse, ajo mbeti gati pa asgjë. Edhe kornizat e kamerave, dikur të shtrenjta, u morën dhe u shitën si suvenire dorë pas dore.
Sipas disa kineastëve, megjithatë, ishte sukses pse filmi u shkëput nga ndikimi i shtetit, por u bë viktimë e mungesës së mjeteve ose e diktatit tjetër: e temave të imponuara nga bashkëprodhuesit e huaj. Sidomos, disa sponsorë perëndimorë sugjeruan ndonjë temë, personazh a ambient ose tema në modë të asaj kohe, që më shumë i ngjanin valës së zezë (të vonuar) të filmit shqiptar, ku peshkohej zymtësia, e keqja, e shëmtuara dhe pasojat e totalitarizmit.
Të gjitha këto nuk mungonin në jetë. Përkundrazi, ishin me bollëk. Mirëpo, pas kohës së temave të imponuara: LNÇ-ja, realiteti i lustruar, ndërtimi i socializmit, pasoi periudha e filmave për totalitarizmin, për realitetin e hidhur të tranzicionit, për prostitucionin, eksodin e dhimbshëm, dridhjet e mëdha etj. U bënë filma edhe nga Lufta e Dytë Botërore, në një mënyrë të re. Madje, edhe për kohën para Luftës së Parë Botërore, sikurse që ka edhe filma për periudhën e viteve tridhjetë të shekullit të kaluar.
Kinematografia shqiptare, pas rënies së komunizmit, u shkëput plotësisht nga klishetë tematike dhe nga tutela e partisë. Ishte kinematografia më e censuruar dhe më e mbikëqyrur në Evropën Lindore, kështu që rrymimet e ndryshme perëndimore nuk e prekën filmin shqiptar, sikurse që nuk e shqoi as guximi i kinematografisë polake, hungareze a risitë çeke. Megjithatë, edhe në këtë kontroll të rreptë, kishte frymëzim artistik. U shquan disa filma, të cilët i bëjnë ballë kohës. Pati profesionalizëm për lakmi, ashtu sikurse që shikuesit e donin filmin e vendit.
Rënia e numrit të filmave të prodhuar ishte sa pasojë e rënies së sistemit, aq edhe e dridhjeve të mëdha të brendshme, vështirësive të konsolidimit të shtetit ligjor, investimeve të vogla në kinematografi, përkatësisht e rrënimit të tërësishëm të teknikës dhe të teknologjisë së prodhimit të filmit.
Kineastët ishin të bindur se me tumirën e ligjit për kinematografi, më 1996, do të vërshonte kapitali i huaj në Kinostudio, ku kishte një bazë teknike dhe të infrastrukturës për prodhimin e filmit dhe postproduksionit. Po ashtu, shpresohej shumë se edhe producentët e jashtëm do të kishin interesim të investonin në filmin shqiptar. Pati shpresa që objekti dhe hapësira atraktive e Kinostudios do të bëhej selia e dytë e Cinecita-së italiane. Ëndrra për investime të jashtme ishte e theksuar gati-gati te të gjithë kineastët shqiptarë, të cilët mendonin dhe shpresonin se pas izolimit të gjatë, skenarët e tyre do të gjenin producentë të jashtëm dhe se do të realizoheshin pa vështirësi. Mirëpo, e dëshiruara dhe realja ishin larg njëra-tjetrës. Për Kinostudion “Shqipëria e re”, që u ripagëzua “Albafilm”, nuk pati asnjë interesim që të rinovohej dhe të vihej në funksion, kështu që gati u shkatërrua tërësisht, me shpresën se pastaj në privatizim do t’i zbritej vlera dhe do të përfitonte dikush.
Mbeti “Albafilm studio”, që është tepër larg funksionit kryesor, që e pati dikur. Ndërkaq, në planin e prodhimtarisë së përbashkët (bashkëprodhime filmike), pati disa filma që u bënë në këtë periudhë. Madje, filmi shqiptar ishte më i gjindshëm në këtë plan sesa shumica e kinematografive të rajonit. Mirëpo, jo në shkallën që shpresohej dhe nuk ishte e nuk është kapitali i huaj ai që mund ta nxjerrë një kinematografi kombëtare nga kriza e mungesës së mjeteve materiale.
Gati të gjithë filmat shqiptarë u bënë me bashkëfinancues nga jashtë, por është fjala për një a dy filma në vit. Kështu që nuk është ndonjë numër i madh, pavarësisht pranisë shumë më të madhe në festivale ndërkombëtare dhe të çmimeve që nuk i patën dikur.
Duke kopjuar ligjin francez të kinematografisë dhe traditën e gjatë të Qendrës Kinematografike Franceze, ligji shqiptar për kinematografi e bëri kusht financimin e një projekti, nëse shtëpia filmike dëshmon se e ka gjysmën e kapitalit ose nëse do të financohet nga ndonjë producent i huaj. Disa nga këta filma gjetën donatorë a bashkëprodhues (koproducentë) jashtë Shqipërisë, mirëpo gati çdoherë pati ndërhyrje në temën, në mënyrën e qasjes. Pastaj u financuan filmat për të cilët njohësve të rrethanave u shkonte mendja për keq. Përkatësisht, për ndonjë ndërhyrje jashtë vlerave që ofronte skenari a ekipi i filmit.
Tematikisht, filmi shqiptar u bë shumë më i larmishëm. Liria e shprehjes u manifestua në mllefin e akumuluar ndaj diktaturës, në frymëzimet e ndrydhura, dikur të tmerrit të totalitarizmit, realitetin deprimues etj. Por as demokracia nuk premtonte shumë. Realiteti ishte mjaft i zymtë e stresues, kështu që edhe kjo periudhë gjeti mjaft vend në shumicën e filmave shqiptarë. Donacionet e huaja e kushtëzuan kineastin shqiptar a skenaristin që t’u përshtaten disa kërkesave, që të mos themi, disa diktateve, të cilat ishin të ngjashme me kushtëzimet e shtetit-financues të filmit. Pasojë e këtij kushtëzimi a përpjekjeje për të joshur producentët e jashtëm janë disa filma, të cilët, artistikisht, lënë shumë për të dëshiruar. Përmbajtësisht, duken artificialë ose ka skena që s’kanë fare të bëjnë me dramën a me artin, sa kanë të bëjnë me dëshirën për t’ia bërë qejfin producentit të huaj. Dhe, në kërkim të kapitalit për filmin, regjisori, më shumë sesa krijues, të jep përshtypjen e një tregtari. Në jo pak raste ia bën qejfin atij që i premton mbështetje.
Prandaj, duhet të mendojnë shumë seriozisht shteti dhe Qendra Kinematografike Kombëtare që filmin ta financojnë tërësisht, por ta përcaktojnë se me këtë a atë përqindje, është i shtetit. Ndryshe do të nëpërkëmbët shumë. Ta kopjosh ligjin e një shteti të madh, siç është Franca a Gjermania, bie fjala, është sikur xhuxhi të përpiqet të ecën si kolos. Pastaj, dihet fare mirë, se sa është numri i shikuesve në Francë, që, pos shtetit të vet, e ka regjionin gjuhësor frankofon.
Filmat për të sotmen, me përjashtime, nuk e kishin frymëzimin e duhur artistik. Dhe nuk e kishin gjetjen e qëlluar dramaturgjike. Më shumë kishte dokumentaritet të paasimiluar sa duhet sesa imagjinatë artistike. Më shumë kishte mllef sesa gjetje artistike dhe drama bindëse në planin artistik.
*Nga libri “Sharmi i filmit”, që do të botohet këto ditë. Titulli është redaksional