E Shtunë, 31 Tetor 2026

Së bashku ka shpresë

Përplasjet ndërmjet EULEX’it dhe institucioneve vendore për situatën në veri, nuk shkojnë përtej deklaratave. Asnjëra palë nuk e ka ndërmend të nisë veprimet atje. Misioni evropian këtë përgjegjësi ua lë vendorëve, kurse këta të fundit i presin ndërkombëtarët. Bashkërendimi i veprimeve mund të jetë zgjidhja. Nga Jeton Musliu më 03 maj 2011 në ora 08:48

Të gjithë pajtohen se situata në veri të vendit nuk është e mirë. Edhe EULEX, por edhe institucionet vendore e dinë se atje shkelet ligji gati në të gjitha mënyrat. Por, kur vjen puna te qartësimi se kush duhet të veprojë, sytë e tyre kthehen nga pala e kundërt. EULEX thotë se ata janë këtu për të ndihmuar, e jo për të qeverisur, kurse vendorët thonë se mandati i këtij misioni është rendi dhe ligji.

“EULEX nuk është këtu që ta qeverisë vendin. Jemi këtu për t’i ndihmuar institucionet kosovare, ne nuk jemi UNMIK...“, është shprehur Andy Sparkes, zëvendësshef i misionit.

Ai në intervistën dhënë gazetës Express ka shpjeguar madje se është i lodhur duke parë të gjithë të drejtojnë gishtin e fajësisë drejt EULEX’it. “...Sepse ne nuk e kemi krijuar këtë gjendje”.

Paralajmërimi se në mesin e muajt prill do të bëhet kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve vendorë në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, ndërtesa e së cilës ndodhet në veri të qytetit, doli të mos jetë e vërtetë.

Pavarësisht kësaj dhe faktit se në atë zonë nuk ka rend e ligj, si dhe se kriminaliteti e kontrabanda lulëzojnë, as zyrtarët e vendit nuk janë të bindur se mund të bëjnë diçka konkrete pa praninë e EULEX’it.

Përveç deklaratave, duket se institucionet nuk janë në gjendje të ndërmarrin asnjë veprim konkret në atë zonë të vendit.

“Jemi duke u marrë me atë pjesë, por do të vazhdojmë të bashkërendojmë veprimet me KFOR’in dhe EULEX’in”, thotë Hajredin Kuçi, zv. kryeministër dhe ministër i Drejtësisë.

“Me këtë bashkërendim do të vazhdojmë edhe më tej”, thotë Kuçi për Express, duke sqaruar se për kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve vendorë në veri të vendit, ka biseduar edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit.

Por, nga llafet deri më tash asgjë nuk ka lëvizur. Situata është njësoj e keqe, e ndoshta edhe më e keqe sesa që ka qenë, kur tashmë është bërë e qartë se EULEX nuk e ka ndërmend të veprojë atje.

Megjithëkëtë, edhe në këtë rast, Kuçi ka përgjigje. “Qasja e Qeverisë së Kosovës është që ‘të drejtohet kurrizi pa u thyer”, thotë ai frazën, e cila nënkupton se situata në atë pjesë të vendit duhet ndryshuar ngadalë, ndonëse deri më tash, përveç hapjes së një zyre të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës në një lagje në Veri, asnjë përparim nuk ka ndodhur.

Në fakt, përgjegjës për gjykatat në tërë vendin, është Këshilli Gjyqësor i Kosovës, por kontakti me ta të hënën ishte i pamundur për shkak të festës.

Ndërkohë Xhevdet Abazi, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, që vepron në objektin e Gjykatës Komunale në Vushtrri, nuk ka shumë shpresë që vetëm institucionet e vendit mund të bëjnë të mundur kthimin e tyre në objektin që u takon.

“Pa ndihmën e EULEX’it nuk besoj se mund të bëjmë asgjë”, thotë Abazi për Express, i cili çuditet se si zyrtarët e këtij misioni i kanë ndryshuar fjalët, krahasuar me takimet e fillimit që ata kanë pasur me ta.

“Në takimet e para me EULEX’in, ata na thoshin se bashkërisht duhet të kthehemi në gjykatë”, kujton Abazi, duke qenë i befasuar se me deklaratën e Andy Sparkesit, se ky mision është këtu vetëm për këshilla.

Ai e quan të papranueshme deklaratën e Sparkesit, sipas të cilit ”çështja se si autoritetet e Kosovës do të përballen me gjendjen e vështirë në Veri, në fakt, është diçka që Prishtina dhe Beogradi janë duke u këshilluar nga Bashkimi Evropian”.

“Nëse duhet pritur nga Serbia që ne të kthehemi në gjykatë, atëherë nuk mund të pajtohemi në asnjë mënyrë”, tha Abazi.

Ndërkohë, mospajtimet deklarative ndërmjet institucioneve vendore të sigurisë dhe EULEX’it, kanë pasur me qëndrimin e Bajram Rexhepit, ministër i Punëve të Brendshme.

Sipas Rexhepit, në situatën e tanishme, EULEX ka dy opsione. E para është ta rrisë efikasitetin apo e dyta, të kërkojë një strategji largimi nga Kosova, siç e quan ai, “exit strategji”, raporton televizioni publik.

Për më shumë, një kërkesë e tillë e ka fillin te vendorët, të cilët besojnë se pakënaqësitë me punën e këtij misioni tejkalojnë deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Kosovës, duke shkuar madje edhe në Bruksel.

Ministri i Brendshëm konsideron se veç spektakleve mediale, EULEX ka dështuar në misionin e vet, duke arritur kulmin me deklarimet për rikthimin e gjyqtarëve në Veri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›