E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaffa hiqet me zor

Inspektorati sanitar ka njoftuar se 95 për qind e biskotës kancerogjene “Jaffa” është hequr nga tregu. Për këtë u deshën analiza të panevojshme dhe kohë shumë e gjatë. Aty këtu ndonjë tregtar vazhdon ta shesë këtë produkt. Nga Express më 03 maj 2011 në ora 08:50

U desh të kalojë kohë e gjatë që biskota kancerogjene “Jaffa” të hiqet nga tregu.

Për Inspektoratin sanitar të Kosovës, nuk ishin të mjaftueshme analizat e kryera në Slloveni, që kishin gjetur se ky produkt është kancerogjen. Inspektorati dërgoi analiza shtesë jashtë vendit, ku rezultati ishte po i njëjti.

Tani, Inspektorati ka urdhëruar operatorët ushqimorë ta heqin nga shitja ketë produkt. Megjithëkëtë, disa tregtarë vazhdojnë ta shesin këtë produkt, derisa qytetarët thonë se janë në dijeni se biskota “Jaffa” është e dëmshme për shëndetin.

Organet inspektuese ditë më parë kanë ndaluar përdorimin e Jaffa keksit. Kjo ëmbëlsirë është konstatuar të jetë e dëmshme për shëndetin e njeriut. Qytetarët janë në dijeni se ky produkt tashmë është jashtë konsumit.

Por ka edhe prej atyre që nuk janë informuar. Kësaj po i ndihmojnë edhe disa markete, të cilat nuk e kanë hequr këtë lloj biskote nga shitja.

Një pronare e një minimarketi, pa dashur t’i përmendet emri, ende e shet këtë produkt. “Ne të dyqaneve nuk jemi fajtorë, sepse ajo shitet nga depot me shumicë, kështu që në treg është në shitje, unë e blej dhe më pas e shes në dyqanin tim”, tha shitësja.

Kreu i Inspektoratit sanitar, Ibrahim Tërshnjaku tha për Radio Kosovën se tashmë kanë arritur që në shumë vende ta heqin nga tregu këtë produkt.

“Ne si organ i kontrollit kemi marrë masa urgjente, brenda 2-3 orëve nga operatorët ushqimorë dhe kur flas për operatorët ushqimorë, e kam fjalën për operatorët e mëdhenj siç janë ”Ben-af”, ”Viva” dhe ”ETC”, i kemi larguar nga tregu, kemi marrë mostra dhe kemi marrë vendim për ndalimin e shitjes së këtij produkti. Për momentin, 95 për qind e kanë larguar këtë produkt, por ka edhe operatorë të papërgjegjshëm, të cilët e lënë në treg”, ka thënë ai.

Tërshnjaku tha se Inspektorati sanitar do të ndëshkojë të gjithë ata operatorë, të cilët ende e shesin biskotën “Jaffa”.

Ndryshe, ky produkt fillimisht është ndaluar nga autoritetet sllovene. Analizat kanë treguar se ky produkt përmban foto-inciatorin benzofenon që paraqet rrezik për shëndetin e njeriut, e posaçërisht për fëmijët.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›