E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisin negociatat për anëtarësim në Europol dhe Interpol

Nga Express më 02 maj 2011 në ora 18:17

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi ka thënë për Kosovapress se forcat e rendit tashmë kanë vënë kontaktet e drejtpërdrejta me disa shtete mike nga Evropa dhe po bëhen përgatitje maksimale që edhe Kosova sa më parë të anëtarësohet në organizatën policore evropiane, Europol dhe atë ndërkombëtare Interpol.

Derisa para një viti thuhej se çështja e njohjeve të pavarësisë së vendit tonë ishte problem për anëtarësim në Europol dhe Interpol, tani drejtues nga institucionet e sigurisë së Kosovës, thonë se janë vetëm plotësimi i disa procedurave dhe standardeve për anëtarësimin në këto organizata.

Shefi i policisë Reshat Maliqi tregon se tashmë janë në kontakte të drejtpërdrejta me disa shtete mike nga Evropa, të cilat po ndihmojnë arritjen sa më të shpejtë të standardeve që kërkohen për anëtarësim.

“Ne sot e kemi një delegacion në Vjenë që janë takuar me kolegët nga policia e Austrisë dhe ajo e Gjermanisë lidhur me këtë proces dhe bashkëpunimin ndërkombëtar lidhur me sundimin e ligjit. Ne jemi tani në fazën fillestare duke zhvilluar negociata. E kemi krijuar një grup të vogël, i cili mban kontakte të rregullta me përfaqësues të këtyre shteteve që ndihmojnë Kosovën që në të ardhmen të jetë pjesë e Europolit dhe Interpolit”, ka thënë ai.

Duke e quajtur Policinë e Kosovës si një institucion mjaft efikas, ai theksoi se puna e deritashme e kryer me sukses ka bërë që të jenë të respektuar e të lidhin bashkëpunim me shumë vende.

Sipas tij, në aspektin e sigurisë Kosova me të gjitha shtetet e regjionit ka bashkëpunim shumë të mirë, përjashtuar këtu Serbinë me të cilën ekzistojnë vetëm kontakte të policisë kufitare, pra është një nivel shumë të ultë i bashkëpunimit.

Por edhe pse Kosova ka një përgatitje të mirë dhe po punon në plotësimin e infrastrukturës së nevojshme, anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë Europol dhe Interpol, nuk do të bëhet shumë shpejtë, pasi duhet të plotësohen disa standarde.

“Ky proces nuk do të përfundoj shumë shpejtë, besoj se kërkon një kohë më të gjatë, por sa i përket përgatitjeve, takimeve, kontakteve ne veç i kemi filluar ato dhe jemi në kontakte të përhershme. Pra duhet të krijohen disa standarde të cilat janë të domosdoshme që ne të bëhemi anëtarë të barabartë. Deri më tani nuk na është thënë se është pengesë çështja e statusit apo njohjeve të shtetit tonë, por është vetëm çështje e kompletimit të procedurave që parashihen. Ne kemi filluar me to dhe besoj se do të ecim mirë”, theksoi Maliqi.

Nëse Kosova anëtarësohet në organizatën policore evropiane, Europol dhe atë ndërkombëtare Interpol, atëherë mundësitë që qytetarët e Kosovës, sidomos figurat politike të vendit tonë të arrestohen sikur më parë në bazë të fletarrestimeve të Serbisë, s’do të ekzistonin pothuajse fare.

Ndryshe, Zyra e Policisë Evropiane (Europol) është bërë funksionale në vitin 1999, ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Policisë (Interpol) në vitin 1923. Që të dyja këto organizata për detyrë kryesore kanë lehtësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, përkatësisht atë evropian të policisë në luftimin e krimit dhe dukurive negative. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›