Jahjaga: E mira fitoi kundër të keqes

Prej sot bota është më paqësore, prej sot njerëzit janë më të sigurt të shkojnë në punë, në shkollë, të udhëtojnë me metro, me tren, me aeroplan, më të sigurt për jetën e tyre, thuhet në deklaratë e presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas vrasjes së Osama bin Ladenit.
“Kryeterroristi Osama bin Laden mori dënimin e merituar pas gjithë vrasjeve, vuajtjeve, dhimbjeve dhe dëmeve që i shkaktoi botës. Drejtësia u vu në vend. E mira fitoi kundër të keqes. Njerëzit do të jetojnë në paqe, në përparim, të patrembur dhe të parrezikuar. Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është në funksion të paqes, të prosperitetit, të sigurisë për të gjithë, në mbrojtje të jetës dhe të dinjitetit të njeriut.
Republika e Kosovës, populli i saj e mirëpritën lajmin për eliminimin e kryeterroristit të botës, duke qenë të ndërgjegjshëm dhe të falenderueshëm për intervenimin e NATO-s në Kosovë, disa vjet më parë, kur u ndal lufta dhe spastrimi etnik, u vendos paqja dhe stabiliteti në rajon.
Kosova në luftën kundër terrorizmit është përkrah SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, për një botë më të mirë, në të cilën njerëzit e të gjitha besimeve, të gjitha racave, të gjitha kombeve bashkërisht do të ndërtojnë të ardhmen prosperuese”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.
Vrasja e Bin Ladenit shënon një moment kthese në luftën kundër terrorizmit
Qeveria e Republikës së Kosovës përgëzon forcat amerikane për operacionin e suksesshëm dhe konsideron se vrasja e liderit terrorist të Al Kaidës, Osoma bin Ladenit, shënon një moment kthese në luftën kundër terrorizmit, jo vetëm për popullin amerikan, mirëpo për të gjithë popujt e botës, të cilët e duan lirinë dhe paqen.
“Në këtë moment kthese, populli i Kosovës ndan me popullin amerikan ndjenjën e shpresës dhe solidaritetit për një jetë me të sigurt dhe më paqësore.
Kjo ngjarje, është një moment i përkujtimit për të gjitha jetët e humbura në luftë kundër terrorizmit, dhe një moment i shpresës se e mira do të ngadhënjejë mbi të keqën”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
AAK përshëndet vrasjen e terroristit Osama Bin Laden
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe populli i Kosovës e ka mirëpritur lajmin për vrasjen e udhëheqësit të organizatës terroriste Al Kaida, Osama Bin Laden.
"AAK konsideron se vrasja e liderit terrorist është një satisfaksion i madh për popullin amerikan e, veçanërisht, për familjet e viktimave që i humbën më të dashurit e tyre në sulmin e shëmtuar të 11 Shtatorit 2001".
"Populli i Kosovës sot me të drejtë e ndanë gëzimin me SHBA-të, popullin amerikan dhe të gjithë popujt paqedashës në botë, duke e vlerësuar vrasjen e Osama Bin Ladenit moment të rëndësishëm të fitores mbi terrorizmin ndërkombëtar – si kërcënimi dhe e keqja më e madhe shekullit XXI", thuhet në komunikatë.