E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Seanca e posaçme, Presidenti Zelensky i drejtohet sot Kuvendit shqiptar me një mesazh

Kuvendi do të mblidhet sot në një seancë të posaçme që do të nisë në orën 11:00. Sipas rendit të ditës të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, në seancë plenare do të flasë Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, nëpërmjet platformës Zoom.

Për sigurimin e infrastrukturës për realizimin e lidhjes direkte me Presidentin Zelensky gjatë seancës plenare është ngarkuar Sekretari i Përgjithshëm.

Shqipëria ka qenë një nga vendet që ka mbështetur Ukrainën që në nisje të luftës nga Rusia.

Kujtojmë se në 7 mars, Kryeministri Rama ka zhvilluar një bisedë telefonikë me presidentin Zelensky, të cilin e ka siguruar se vendi ynë do bëjë gjithçka që mundet në mënyrë që Ukraina të triumfojë në luftën për liri.

Biseda u konfirmua gjithashtu edhe nga presidenti Zelensky, i cili shkruante në Twitter se vlerësonte ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në kohët e vështira në të cilat po kalon Ukraina.

“Zhvillova sot një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Biseduam rreth luftës kundër pushtuesve rusë. U diskutua gjithashtu për punën e përbashkët brenda Ukrainës. Ne vlerësojmë ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Ne po bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund luftës” shkruante presidenti ukrainas Zelensky në Twitter.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›