Dhori Kule “i pari” i Rektorëve
Rektorit të Universitetit të Tiranës Dhori Kule i shtohet një tjetër detyrim. Gjatë Konferencës së Rektorëve ku merrnin pjesë 32 drejtues të universiteteve publike dhe private në vend ai është zgjedhur si kryetari i ri i ndjekur nga rektori i Universitetit Evropian të Tiranës, Adrian Civici në rolin e nënkryetarit. Gjatë fjalës së tij Kule falënderoi kolegët e tij për nderin dhe përgjegjësinë që i dhanë, duke e vendosur në krye të institucionit më të lartë që mbron interesat e Universiteteve publike dhe private në vend. Reforma të reja në financimin e universiteteve publike, rritja e cilësisë dhe bashkëpunimi mes aktorëve janë konsideruar si "refreni" që do të shoqërojë punën e rektorit Kule. Konferenca e Rektorëve është një organ i përcaktuar në ligjin e arsimit të lartë, që ka si qëllim mbrojtjen e interesave të institucioneve të arsimit të lartë dhe bashkëpunimin me institucionet vendim-marrëse.