Fatos Nano lektor në Masterat e ISSAT
Ish kryeministri socialist, Fatos Nano dha një leksion në nivelin Master në Institucionin e Arsimit të Lartë "ISSAT". Duke bërë një analizë të prioriteteve të zhvillimeve të vendit, Nano vlerësoi investimet që bëjnë të rinjtë për t'u pajisur me dije në nivelet master dhe doktorë shkencash. Ish kryeministri socialist u shpreh se strategjia e zhvillimit të vendit duhet të fokusohet në rritjen e prodhimit vendas, duke u prerë rrugën importeve. "Një azhornim i tillë është 'kutia që duhet të hapim' vuri në pah jo pa sens humori Nano! Mos marrja vesh mes palëve dhe humbja e kohës e energjive me ndeshje dhe debate shterpe është një dëm për vendin dhe për Ju", iu drejtua ai studentëve të auditorit.
Nano u përqendrua me argumente në nevojën e një Strategjie Kombëtare të Zhvillimit, duke linjëzuar fushat prioritare të saj si dhe nevojën për një kontinuitet, pavarësisht se cila forcë politike e drejton vendin. Duke sjellë shembuj mbi drejtimet themelore të këtij zhvillimi, Nano nënvizoi se në fillim të viteve 2000 me një ekspertizë ndërkombëtare të një subjekti mjaft autoritar në tregun global, Qeveria e asaj kohe e hartoi këtë strategji duke artikuluar prioritetet e zhvillimit. Sektori i prodhimit me ndërmarrje vendase dhe të huaja, duke rregulluar ekuilibrat, aktualisht jo fort optimiste, kur besohet pa një perspektivë të qëndrueshme vetëm te sektori i shërbimeve, do të duhet të jetë drejtimi prioritar. Gjatë leksionit u dhanë shembuj nga eksperiencat e tregut botëror si dhe të vendeve fqinje. Në këtë këndvështrim ai sqaroi me shifra dhe përmes një analize strukturore të GDP-s se cilat janë fuqitë realizuese të saj si dhe orientoi auditorin drejt një arsyetimi të argumentuar sesi do duhet të sigurohen ekuilibrat dhe pikërendesat kompetitive të ekonomisë së vendit ku prodhimi do duhet të rritet për tregun e brendshëm dhe për eksport. Sipas Nanos do të ishte një zhvillim i shpejtë dhe dinamizues i turizmit përtej klisheve dhe niveleve të sotme ku ka rëndësi kuptimi i industrisë së turizmit dhe aksesorëve të relaksit dhe zbavitjes me një infrastrukturë ku shpenzohen para për t'u argëtuar nga turistët e huaj.