E Hënë, 2 Nëntor 2026

Seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”, Berisha: Procesi nis mbi një bazë antiligjore

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua sot seanca për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportit “Partizani”, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashin, Xhimi Begenë dhe Andia Pustinës.

Seanca nisi rreth orës 10:45 dhe përfundoi në orën 14:00, ku i pranishëm ishte vetëm Malltezi, ndërsa të pandehurit e tjerë përfaqësoheshin nga avokatët. Seanca gjyqësore e radhës u caktua të zhvillohet më 29 shtator, në orën 11:00.

Sipas medieve avokati i Berishës, Genc Gjokutaj ka kërkuar “konstatim të pavlefshmërisë absolute të vendimit për marrjen të pandehur, komunikimin e akuzës dhe çdo akt që rrjedh prej tij”.

“Prokuroria ka tejkaluar kompetencat e saj kushtetuese në ngritjen e akuzës duke u bazuar në opinione”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Pas seancës, Malltezi u shpreh se “është i vetmi person në Shqipëri, ndaj të cilit në të njëjtën ditë janë marrë masa për arrest, janë kryer kontrolle dhe është bërë sekuestrimi i të gjitha kompanive private që zotëronte, si dhe të pronave që kishte në bashkëpronësi, pa asnjë justifikim të qartë nga autoritetet”.

Ai theksoi se veprimet e ndërmarra ndaj tij tregojnë qartë se është kthyer në objekt sulmesh nga Partia Socialiste.

“Kemi të bëjmë me një luftë ndaj armikut të PS-së që quhej Jamarbër Malltezi. Armik i PS-së, krenar për këtë, sepse kemi rrespektuar çdo ligj”, tha Malltezi.

Edhe avokati i Malltezit, Sokol Hazizaj, sipas medieve kërkoi po ashtu pavlefshmëri absolute të akteve dhe të akuzave ndaj klientit të tij, duke e konsideruar çështjen “pa asnjë bazë ligjore”.

Jashtë ambienteve të SPAK, Berisha tha se “procesi nis mbi një bazë antiligjore”.

“Gjykata e Lartë në një vendim të dytë shpall se për veprën e korrupsionit pasiv duhet detyrimisht që nëpunësi apo funksionari të jetë funksionar publik. Dhe duhet detyrimisht që të kenë pasur fuqi vendimmarrëse. Jamarbër Malltezi nuk ka qenë kurrë zyrtar apo funksionar publik, sepse ligji ka përjashtuar universitetet nga kjo kategori”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se “kur avoketërit të më këshillojnë që unë të jem i pranishëm në sallën e gjyqit, do të shkoj pa asnjë hezitim”.

Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Ndërkohë, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, akuzohen për pastrim parash.

SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin.

/m.q//r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›