Sejdiu : "EULEX-i nuk mund të jetë neutral"

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka deklaruar se EULEX-i nuk mund të jetë neutral. "Thuhet se EULEX-i duhet të jetë neutral, kjo është thirrja serbe. Por, EULEX-i nuk mund të jetë neutral, sepse është përbërë mbi 90 për qind nga vende që kanë njohur, kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin Republikën e Kosovës", ka deklaruar ai. Presidenti Sejdiu e vlerësoi historik vitin 2008 të shpalljes së pavarësisë. "Por, nuk po ju them se i kemi arritur të gjitha objektivat që janë në fokusin tonë, të qytetarëve për të pasur një jetë më të mirë. E dimë se kemi shumë sfida", tha presidenti. "Presim që viti që vjen të jetë një vit i një shansi të madh si në konsolidimin ekonomik, në partneritetin edhe më të fuqishëm në mbëshetje të anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, si dhe i bashkëpunimit të mirë ndërinstitucional, të pozitës dhe opozitës, edhe qytetarëve kosovarë", tha ai.Presidenti Sejdiu tha po ashtu se pret që 2009-ta "të jetë vit i paqes, i stabilitetit, i ecjes së sukseshme në binarët institucionalë dhe në jetën e përditshme, në partnertneritet të mirë me fqinjët në radhë të parë në kuptimin e fqinjësisë së mirë".