"USA Today",Obama njeriu më i admiruar nga amerikanët

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, sipas një sondazhi të përvitshëm të gazetës 'USA Today', është shpallur njeriu më i admiruar në botë nga amerikanët. 32 përqind e personave të anketuar, kanë zgjedhur Obamën në vend të parë të burrave më të admiruar, kundrejt 5 përqind që zgjodhën presidentin aktual Xhorxh Bush, i cili kryesonte këtë sondazh që prej shtatë vitesh. Ndërkohë që vetëm një here ka ndodhur që një president në detyrë të arrijë një rezultat më të mirë. Ai ishte Xhorxh Bush, që në fund të viti 2001, disa muaj pas atentateve të 11 shtatorit, vlerësohej si njeriu më i admiruar nga 39 përqind e personave të anketuar. Kandidati republikan për President në zgjedhjet e 4 nëntorit, Xhon Mekejn ka dalë në vend të tretë me vetëm tre përqind, ndërsa në vend të katërt me nga dy përqind secili rënditen Papa Benedikti XVI, predikuesi Billi Graham dhe ish-presidenti Bill Klinton. Teksa nga gratë, Sekretarja e re e Shtetit amerikan në administratën e Obamës, Hillari Klinton, rënditet në vend të parë me 20 përqind të votave, si gruaja më e admiruar në botë nga amerikanët. Ish-zonja e parë Klinton ka dalë në krye të këtij sondazhi për plot 13 vjet gjatë këtyre 16 viteve të fundit. Në vend të dytë ka dalë kandidatja republikane për zëvendëspresidente në zgjedhjet e nëntorit Sara Pejlin me 11 përqind. Teksa zonja e parë e ardhshme e SHBA-së, Mishel Obama, ka dalë në vend të pestë me tre përqind, pas sekretares aktuale të Shtetit, Kondoleza Rajs dhe yllit më të madh të televizionit amerikan, Oprah Uinfrei me nga tetë përqind secila. Sondazhi që realizohet nga Instituti Gallup që nga viti 1948, u bë me anë të telefonatave në datat 12-14 dhjetor me një mundësi gabimi prej pak a shumë tre përqindësh.