E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Arrestimet s’e destabilizojnë vendin

Presidenti Fatmir Sejdiu ka përsëritur edhe sot mbështetjen e tij deklarative për EULEX-in në luftimin e korrupsionit, ndërsa ka përjashtuar mundësinë që arrestimet e zyrtarëve të dyshuar për korrupsion do të mund të destabilizojnë vendin.

“Ne e kemi ftuar EULEX-in në Kosovë, që të jetë mbështetës i rëndësishëm në realizimin e politikave tona si shtet i ri dhe besoj se kjo mbështetje do të jetë vetëm në kuptimin pozitiv. Ne duam të jemi në Bashkimin Evropian sa më shpejt. Është rast i yni që të shfrytëzojmë prezencën ndërkombëtare për të shkurtuar rrugën”, ka thënë Sejdiu.

Ai i ka bërë komentet pas takimit me kryetarët e komunave të Kosovës, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve rreth hetimeve që po bën EULEX-i rreth korrupsionit.

Presidenti ka përsëritur se e mbështet zbatimin e plotë të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që mund të kenë ardhur në kundërshtim me ligjin. “Në këtë kuadër edhe në luftimin e korrupsionit. Institucionet e vendit duhet të bëjnë punën e vet të suksesshme, por edhe mbështetja e EULEX-it është e domosdoshme, në këtë aspekt, në pjesën e mandatit që ka. Dhe ekziston një bashkëpunim i mirë”.

I pyetur nëse arrestimet e mundshme mund të destabilizojnë vendin, presidenti Sejdiu theksoi se Kosova nuk është duke u ndjekur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›