E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e Kosovës e pamundur

Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg thotë se qendrimi amerikan mbi statusin e Kosovës së pavarur nuk do të ndryshojë.

Steinberg tha se nuk duhet të ketë paqartësi lidhur me qëndrimin amerikan se Kosova është e pavarur dhe sovrane. Kjo nuk do të ndryshojë. Por ndërkohë që punohet për këto çështje afatgjata ka rëndësi që të ketë një farë bashkëpunimi praktik mes Kosovës dhe Serbisë.

"Sepse është në interes të të gjithëve zgjidhja e çështjeve të tilla si kufijtë dhe doganat apo telekomi. Nëse ndjekim qendrime pragmatike pra që palët të bien dakord për të mos qenë dakord për gjithçka, e në të njëjtën kohë të bëjnë gjëra në interes të të gjithë popullit duke çuar në më shumë e jo në më pak bashkëpunim, kjo do të ishte diçka e mirëpritur", tha Steinberg.

Nënsekretari amerikan i Shtetit iu referua pastaj zërave që dëgjohen kohët e fundit lidhur me të ashtuquajtura plane për ndarjen e Kosovës. Ai tha se një ndarje as që diskutohet.

"Shtetet e Bashkuara e kanë bërë shumë të qartë dhe të gjithë partnerët e kuptojnë, duke përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, edhe ato vende që mund të kenë qendrim të ndryshme lidhur me statusin, se ndarja do të ishte një ide veçanërisht e rrezikshme. Madje edhe shtrimi i një mundësie të tillë thellon tensionet duke e bërë të vështirë të punohet lidhur me çështjet praktike. Do të na duhet të punojnë në suazën e shtetit ashtu siç është tani dhe shpresoj se me kalimin e kohës do të gjejmë mënyrën për të punuar me kolegët tanë serbë në këtë suazë", theksoi ai.

Steinberg tha se në Kosovë po bëhet përparim në zgjidhjen e problemeve të brendshme të vendit, megjithëse ndërtimi i shtetit është një sfidë e vështirë.

"Kosova ka një histori të vështirë sepse për një kohë të gjatë populli i saj ka qenë i privuar nga mjetet dhe shanset për të ndërtuar komunitetet dhe institucionet e tyre politike. Por mendoj se udhëheqja e atjeshme ka ndërmarrë disa hapa shumë të rëndësishme. Gjatë vizitës sime të fundit atje, pata rastin të takoja disa nga kryetarëve serbe të komunave të zgjedhur rishtazi në pjesën jugore të Kosovës. Jam i inkurajuar nga këto hapa përpara dhe nga gatishmëria e qeverisë, e presidentit dhe e kryeministrit për të treguar elasticitet dhe për të krijuar shanse që popullsia serbe ta ndjejë se ka zërin e saj si në veri edhe në jug, për të çuar përpara elementët bazë të planit Ahtisari dhe të zgjidhë disa nga problemet. Ata duhet të ndërtojnë institucione të forta shtetërore, korrupsioni është një problem i madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe është një problem i veçantë në Kosovë. Prandaj ne duhet të punojmë me ta. Ne kemi një numër programesh në Shtetet e Bashkuara për të fuqizuar sundimin e ligjit atje. Por në tërësi ata mund të vlerësohen me një notë të mirë për përpjekjet e tyre", tha ai. /voa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›