Sejdiu: Beogradi po investon për destabilizim në Kosovë
Veriu i Kosovës është shndërruar në zonë të lulëzimit të kontrabandës, aty ku Serbia përmes strukturve paralele po investon fuqishëm që ta destabilizoj Kosovën. Kështu është shprehur Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në një ligjëratë para anëtarëve të World Affairs Council në San Francisko të Shteteve të Bashkuara.“Përkundër të arriturave të mëdha, Kosova ka ende sfida në veri, ku kemi një përqendrim më të theksuar të strukturave paralele, të cilat financohen nga Beogradi zyrtar. E kam thënë dhe po e përsëris se në këto struktura ka plot njerëz që i kanë shumë borxhe drejtësisë.
Udhëheqësit e tyre janë njerëz me të kaluar kriminale, që kanë kryer
krime në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Pa u vënë këta njerëz
përpara drejtësisë, është vështirë të mendohet stabiliteti në atë pjesë
të Kosovës, e cila, fatkeqësisht, është shndërruar edhe në zonë të
lulëzimit të kontrabandës ekonomike”, tha Presidenti Sejdiu duke shtuar
se këto veprime destruktive të Serbisë bëhen me qëllim që pastaj të
thuhet, se Kosova nuk është në gjendje të funksionojë si shtet
demokratik.
“Por, edhe këto destruksionet e Serbisë do të përfundojnë pa sukses,
sepse populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të
përkushtuar për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore,” tha Sejdiu I
bindur se herët a vonë, Serbia do të pajtohet me faktin se Kosova është
shtet sovran dhe i pavarur, dhe do të heqë dorë nga veprimet që e
minojnë ardhmërinë e gjithë popujve të rajonit, sepse, siç tha ai,
realiteti i Kosovës së pavarur nuk mund të ndryshojë dhe ora nuk mund të
kthehet prapa.
“Kjo sfidë nuk është e lehtë, dhe, institucionet dhe populli i Kosovës
do ta tejkalojnë, si gjithmonë, me urtësi, duke bashkëpunuar me të
gjitha palët e interesuara që të punojnë për të mirën e njerëzve të
Kosovës,” tha Sejdiu ndërsa theksoi vendosmërinë për ta shtrirë sundimin
e rendit dhe të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për
të përfunduar: “Në këtë aspekt, institucionet e Kosovës do të
bashkëpunojmë ngushtë edhe me misionin e EULEX-it, të cilin e kemi ftuar
në Kosovë për të na ndihmuar pikërisht në këto dy fusha.”
Bul Salihu
Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 13 janar 2010 )
< I mëparshmi