E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Kontestet me Malin e Zi zgjidhen me demarkacion

PRISHTINE-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë gjatë një interviste për një tv të Malit të Zi se kontestet eventuale të kufirit me Malin e Zi do të zgjidhen me anë të demarkacionit të kufirit.
“Nëse kemi ndonjë kontest eventual, kjo do të zgjidhet me anë të demarkacionit, ashtu që të dihet se ku është kufiri i Kosovës dhe ku është kufiri i Malit të Zi”, ka thënë Sejdiu për Televizionin e Malit të Zi, duke shtuar se aspektin teknik të kësaj çështje do ta zgjidhin ekspertët.

Sejdiu ka kërkuar që të mos krijohet përshtypje se nuk ka klimë të mirë ndërmjet dy shteteve. “Aspektet teknike të çështjes do t`i zgjidhin ekspertet, ndërkaq nuk duhet krijuar përshtypja se nuk ka klimë të mirë mes dy vendeve tona”.

Vendosja e tabelës mes pikës kufitare Kosovë-Mali i Zi, ka shkaktuar zemërim te banorët e brezit kufitar, të cilët kanë protestuar ditë më parë, duke thënë se shenja lajmëruese ishte vendosur 5 kilometra brenda territorit te Kosovës.

(d.b/BalkanWeb) 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›