E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu përuron dy shkolla në Podujevë

Presidenti Sejdiu, duke folur para përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, drejtuesve komunalë, mësimdhënësve, nxënësve e pjesëmarrësve të shumtë, përurimin e  këtyre dy shkollave e vlerësoi si një ngjarje të rëndësishme si dhe një mundësi më e madhe për mësimnxënie.

“Kjo është një mundësi më e madhe për të pasur para jush vlerat më të rëndësishme bashkëkohëse të mësimit dhe edukimit dhe një mundësi e madhe për të ecur në komunikime të mira me shkollat e tjera të vendit dhe mjediset e tjera në proceset integruese dhe evropiane”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu u  bëri thirrje arsimtarëve dhe institucioneve për një përkushtim të veçantë për arritjen e nivelit më të lartë të arsimimit dhe edukimit. “Besoj se do të jetë një përkushtim i veçantë i institucioneve të Republikës së Kosovës që të krijohen mundësi sa më të mira, jo vetëm me objekte por edhe me kabinete pune edhe me tekste shkollore dhe kuadër të kualifikuar”, tha ai, duke shtuar se prindërit duhet jenë në një segment të veçantë të ndërlidhjes së përhershme të punës me mësues, sepse nuk do të jetë e mundshme që të arrihet një rezultat i kënaqshëm pa një proces të mirë të bashkëpunimit me prindërit.

“Nëse arrijmë që nxënësit tanë të edukohen në frymën më të mirë, që të jenë qytetarë të ndershëm, të vyeshëm, punëtorë dhe të dijshëm, atëherë e kemi kryer punën tonë. Këto janë përkushtime që i duhen vendit tone”, tha Presidenti. Presidenti Sejdiu të dy shkollave të inauguruara ua dhuroi nga një  kompjuter, traditë kjo e ndjekur nga Presidenti Sejdiu gjatë çdo vizite nëpër  shkolla të reja  të ndërtuara në të gjithë Kosovën.

Duke folur me rastin e inaugurimit të objektit të ri shkollës fillore në fshatin Kërpimeh, e cila ka marrë emrin e mësuesit të parë të kësaj shkolle, Hamit Sejdiu,  Presidenti evokoi rrugën e vështirë nëpër të cilën ka kaluar shkolla shqipe. “Në kohën kur ka qenë një përpjekje e madhe për të zhbërë shkollën dhe fjalën shqipe, ju ia keni dalë, bashkë edhe me ata që sot nuk janë në mesin tonë, për të cilët mbetet kujtimi i përhershëm”, theksoi Presidenti.

Misioni i shkollës shqipe, vijoi Presidentit Sejdiu, duhet të jetë mision në vazhdim të punës së madhe që është bërë, por natyrisht edhe kohë e re që kërkon përkushtim edhe më të madh. Ai porosit mësimdhënësit që të hulumtojnë të arriturat më të reja në fushat e dijes dhe t’u mundësojnë  nxënësve të nxënë sa më shumë dije.  “T’i edukojmë fëmijët tanë se si duhet të mbahet familja por edhe si duhet të mbahet shteti, sepse shteti mbahet nga të gjithë që duhet të jenë në shërbim të vendit”, theksoi Presidenti.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›