E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu s’e fton Tadiqin në mini-samit

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, nuk do të jetë pjesë e takimit të përbashkët me homologët e vendeve fqinje, të cilët me ftesë të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu do të takohen në Prizren në fund të këtij muaji.

Presidenca kosovare thotë se nuk përjashtohet mundësia që një gjë e tillë të ndodhë viteve të ardhshme.

Në vazhdën e dy takimeve tjera të përbashkëta në Vlorë dhe në Ohër, më 26 dhe 27 qershor në qytetin e Prizrenit do të mbahet mini-samiti, në të cilin do të marrin pjesë presidentët e vendeve fqinje.

Presidentët Bamir Topi, Filip Vujanovic dhe Gjorge Ivanov kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Samitin e Prizrenit, që mbahet me 26-27 qershor, kanë bërë të ditur burime të Express-it nga Zyra e Presidentit.

Ditë më parë, drejtori i Institutit amerikan për Paqe me seli në Uashington, Daniel Server, i ka sugjeruar presidentit kosovar që në këtë mini-samit të ftojë edhe homologun e tij serb. Sidoqoftë, takimi pritet të mbahet në format të njëjtë me atë të Vlorës dhe Ohrit.

“Dihet që në samitin e Vlorës dhe të Ohrit pjesëmarrja ka qenë në këtë format, presidentët e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Edhe kësaj radhe formati do të jetë i tillë, pjesëmarrës do të jenë presidentët e këtyre katër vendeve, por nuk do të përjashtohet mundësia që viteve të ardhshme në samit të ftohen edhe presidentët e vendeve tjera”, i ka thënë KosovaPressit, zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri.

Presidenti Sejdiu ka deklaruar më herët se Tadiq nuk do të ftohet në mini-samitin e shefave të shteteve të vendeve fqinje të Kosovës.

“Si ta ftoj njeriun, i cili me tërë energjinë deklarohet kundër pavarësisë së Kosovës dhe bën gjithçka që ta pengojë njohjen e mëtejme”, pat thënë Sejdiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›