E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu shtron darkë për korin diplomatik

Presidenti Fatmir Sejdiu shtroi mbrëmë darkën tradicionale për korin diplomatik, të akredituar në Prishtinë, me ç’rast i ka falënderuar ata për punën dhe mbështetjen për Kosovën.

Si arritjet më të mëdha në vitin e kaluar, Sejdiu përmendi ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe njohjet e reja që ka pasur Kosova.

“Nuk do t’i arrinim qëllimet, po të mos kishim mbështetjen tuaj, të gjithë përfaqësuesve të vendeve që kanë mbështetur Kosovën, institucionet ndërkombëtare, po edhe KFOR-in”, ka thënë presidenti Sejdiu, transmeton shërbimi i tij për informim.

Sejdiu e ka vlerësuar 2009-ën, vit të sukseseve dhe arritjeve të mëdha për Kosovën. Ai theksoi se stabiliteti i vendit është i qëndrueshëm, dhe kjo falë kontributit të të gjithë qytetarëve, sikurse dhe institucioneve.

“Me gjithë sfidat që kemi pasur, kemi lëvizur në një progres të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe kemi arritur që vërtet t’i realizojmë premtimet themelore, ato që i kemi edhe zotime në projektin Ahtisaari, në relacion me të gjithë qytetarët e vendit, në veçanti me komunitetet pakicë. Po ashtu, kemi arritur të ndërtojmë edhe institucionet më vitale për funksionimin e shtetit, si Gjykatën Kushtetuese, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës”.

Si arritje gjatë vitit 2009, Sejdiu përmendi edhe njohjet e reja që ka pasur Kosova si dhe shtrirjen e rrjetit diplomatik në vende të ndryshme. “Është me rëndësi se Kosovën deri më tani e kanë njohur 65 shtete, kemi ndërtuar një rrjet modest diplomatik të përfaqësimit të Kosovës me 21 ambasada dhe 9 misione konsullore. Kemi pasur një mbështetje të fuqishme nga vendet tuaja dhe nga të gjitha vendet e tjera mike, që Kosova të jetë anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar”, është shprehur presidenti i Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›