Dëgjoi faktet tona

Me agjendën e tij të përpiluar edhe me minuta, zvicerani Dick Marty, hetuesi i Këshillit të Evropës, vazhdon takimet e tij në Prishtinë.
Ai ka takuar të martën, zyrtarë të rëndësishëm të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, kryesisht ata që kanë ndërlidhje me drejtësi dhe hetime.
Sa u përket atyre të EULEX-it, Marty nuk pati mundësi të flasë me shefin e këtij misioni, Yves de Kermabo, i cili tash për tash ndodhet në Bruksel.
Në vend të tij, ai ka takuar zyrtarë të tjerë të rangut pak më të ulët, ndërkohë që sa u përket institucioneve vendore, hetuesi zviceran ka takuar ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.
Në takim me kreun e kësaj ministrie, me të cilën ka biseduar për tridhjetë minuta, për çudi, Dick Marty ka biseduar për të zhdukurit, por jo edhe për trafikim të organeve, për të cilën çështje është ngarkuar.
Takimin ndërmjet Martyt dhe Kelmendit e konfirmon për Express edhe Astrit Kolaj, drejtor për informim në këtë ministri, sipas të cilit, në këtë rast është diskutuar vetëm për dy çështje.
“E para ka pasur të bëjë me personat e zhdukur dhe ndihmën që Këshilli i Evropës mund të japë, dhe e dyta, për punën që po e bënë Ministria në këtë drejtim”, thotë Kolaj, për Express.
Por sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga kjo ministri, Dick Marty citohet t’i ketë thënë ministres Kelmendi se misioni i tyre nuk është hetues, por se kanë ardhur në Kosovë për të shikuar mundësitë, për të ndihmuar që familjarët e personave të zhdukur të informohen për fatin e njerëzve të tyre.
“Ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Kosovë në luftën e fundit, ashtu siç e dimë edhe për humbjen e burrit dhe djemve tuaj në këtë luftë, por një nga qëllimet kryesore të Këshillit të Evropës është garantimi i bashkëjetesës në paqe në mes të popujve, pa dallim kombi, feje dhe race”, citohet të ketë thënë Dick Marty. Sipas të njëjtit njoftim, ministrja Kelmendi citohet t’i ketë thënë zyrtarit të KE-së, që Serbia duhet të jetë më bashkëpunuese lidhur me zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. “Sipas evidencës sonë, janë 1 mijë e 882 persona”, është shprehur Kelmendi.
Përveç këtij takimi, zyrtari i Këshillit të Evropës, i ngarkuar të hetojë dyshimet e ngritura nga Serbia, sipas të cilave, gjatë luftës së fundit në Kosovë, ish-pjesëtarët e UÇK-së kanë kryer trafikim të organeve të serbëve të zënë robër, ka biseduar edhe me zyrtarë të tjerë.
Në orët e pasdites të së martës, Marty është takuar edhe me zyrtarët e EULEX-it, nga Departamenti për të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore.
Vetëm gjysmë ore më vonë, hetuesi i KE-së, ka takuar edhe Arsim Gërxhaliun, drejtorin e këtij departamenti, me të cilin ka biseduar në lidhje me të zhdukurit.
Takimin e konfirmon për Express vetë Gërxhaliu, i cili sqaron se në këtë takim nuk është biseduar për ndonjë rast në veçanti, por vetëm për punën e këtij institucioni nga viti 1999 e këtej.
“Është folur për metodologjinë e punës, të cilën ia shpjegova. I tregova se deri në vitin 2008, të gjitha të drejtat i ka pasur UNMIK-u, kurse tash bashkëpunojmë me EULEX-in”, thotë Gërxhaliu për Express.
“I tregova se si nga viti 1999, deri më tash i kemi sjellë rreth 900 mbetje mortore nga Batajnica dhe Petrovo-Selo në Serbi. Nuk pyeti asgjë direkt”, shpjegon drejtori i Departamentit për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi ligjore, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas Gërxhaliut, për të dhënë vlerësim në lidhje me dyshimet për trafikim organesh, duhet të ketë prova.
“Deri më tash, aq sa di nga mediet, ato nuk janë kurrfarë provash. Ana tjetër e punës me natyrë të tillë është se varet se çfarë provash ka z. Marty”, thotë drejtori Gërxhaliu, duke shpjeguar faktet bazike që duhet pasur që të jepet mendim për trafikim organesh.
“Shkurt, në bazë të provave, një ekspert mjeko-ligjor mund të japë një vendim i cili mund të jetë me besueshmëri të ulët, besueshmëri të lartë apo shumë të lartë”, thotë Arsim Gërxhaliu për Express.
Por në Kosovë, për tetë vjet, fuqinë më të madhe ekzekutive në vend e ka pasur misioni i Kombeve të Bashkuara- UNMIK.
Zyrtarë të këtij misioni tregojnë për Express se ata nuk kanë fare lidhje me këtë vizitë të hetuesit të Këshillit të Evropës.
“Nuk ka asnjë takim të shënuar në agjendë të zyrtarëve të UNMIK-ut me Dick Martyn”, thotë Russell Geekie, zëdhënës i krejt asaj çfarë ka mbetur nga stafi i UNMIK-ut.
Hetimet, të cilat Dick Marty ka ardhur t’i bëjë në Kosovë, për dyshimet për trafikim organesh të serbëve, në fakt kanë përfunduar nga UNMIK-u në vitin 2004.
Meqë në atë kohë, këto hulumtime nuk kishin nxjerrë asnjë të dhënë të besueshme se është kryer trafikim organesh nga ish-UÇK-ja, atëherë ato janë mbyllur.
Një zyrtar i lartë ndërkombëtar shpjegon për Express se krejt ato të dhëna, së bashku me sugjerimin se nuk ka asgjë nga këto dyshime, i janë dorëzuar Tribunalit të Hagës.
“Kopjen e dosjes së njëjtë e ka marrë edhe EULEX-i dhe më shumë se aq, UNMIK-u nuk ka çfarë të dorëzojë dhe as pse të takohet me Martyn”, shpjegon ky zyrtar për Express.
Sa i përket sigurimit, Dick Marty ka ardhur i fortifikuar me policë zviceranë, por ai është nën përcjelljen edhe të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Këtë fakt e ka pohuar edhe Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, sipas të cilit, hetuesin e KE-së është duke e shoqëruar Njësiti për Mbrojtjen e Afërt.
Dick Marty ka arritur në Kosovë të hënën pasdite dhe do të qëndrojë deri të mërkurën, kurse takimet e tij përfshijnë kryesisht zyrtarë të cilët kanë të bëjnë me drejtësi dhe hetime.