Sejdiu siguron Pak: Republika e Kosovës siguron demokraci për të gjithë qytetarët e saj
PRISHTINE - Presidenti i Republikës Fatmir Sejdiu takoi sot znj. Doris Pak, deputete e Parlamentit Evropian, të cilën e falënderoi për angazhimin e saj të përhershëm për Kosovën. Duke folur për arritjet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe mbështetjes së gjithanshme që po i jepet vendit tonë nga bota demokratike, dhe veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkmi Evropian, Presidenti Sejdiu, theksoi se "Republika e Kosovës është vend demokratik i të gjithë qytetarëve të saj dhe synim parësor ka integrimin sa më të shpejtë në BE dhe në NATO". Kosova, vijoi Presidenti Sejdiu, ka dhënë garanci kushtetuese për respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të qytetarëve të saj të komuniteteve pakicë dhe është e vendosur që këto garanci t'i zbatojë në tërësi.
Ndërkaq, evrodeputetja Doris Pak ritheksoi se Bashkimi Evropian do ta ndihmojë edhe në të ardhmen Kosovën dhe forcimin e demokracisë në vendin tonë. Ajo gjithashtu u angazhua për integrimin e mëtejshëm të pakicave, sidomos të asaj serbe në jetën institucionale. Eurodeputetja Pak vuri theksin e interesimit edhe në përfaqësimin e femrës në institucione.
(d.b/BalkanWeb)