E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e Kosoves, Blic: Propozimi, tentim për të formuar regjione

 

BEOGRAD- Propozimi i ashtuquajtur “për ndarjen administrative të Kosovës” - apo njësisë së veçantë administrative në veri të Kosovës - është tentim për të formuar regjione në hapësirat ku banojnë serbët në Kosovë, bën të ditur gazeta Blic, e cila i referohet burimeve të huaja diplomatike.
Këtë propozim tashmë ia ka prezantuar Prishtinës i dërguari i OKB-së, Andrew Landley, ndërsa rreth këtij propozimi janë zhvilluar negociata edhe në relacionin Beograd-New York, bën të ditur kjo gazetë.
Megjithatë, ajo shton se ndaj këtij propozimi kanë reaguar shtetet e Quintit, të cilat kundërshtojnë regjionalizimin e Kosovës.

Bisedimet në mes të dërguarit të OKB-së dhe pushtetit në Prishtinë dhe Beograd po zhvillohen në bazë të letrës së sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, rreth konfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, në gjashtë fusha të jetës: doganë, polici, gjyqësi, infrastrukturë, kufij dhe trashëgimi kulturore.
Sipas burimit të kësaj gazete – që potencohet se është i përfshirë në këto negociata – në bisedimet e deritashme është precizuar funksionimi i doganave, policisë dhe gjyqësisë, “që do të duhej të ishin pothuajse të ndara administrativisht nga Prishtina”.
Landley thuhet të ketë propozuar që veriu i Kosovës të jetë një tërësi territoriale administrative – ndërsa sipas propozimit të tij, dogana në veri do të funksiononte e ndarë nga sistemi doganor i Republikës së Kosovës – ku pjesa më e madhe e të ardhurave nga hyrjet e mallrave në këtë pjesë do të mbeteshin në shfrytëzim të autoriteteve lokale, përkatësisht komunave serbe, ndërsa një shumë më e vogël do t’i takonte Prishtinës.
Serbët, sipas këtij propozimi, do ta kontrollonin edhe një pikë tjetër doganore, jashtë veriut të Kosovës, në Dardanë (ish-Kamenicë), ndërkaq policia dhe gjyqësia do të ishin nën kompetenca të UNMIK-ut.
Sipas këtij burimi, kanë mbetur edhe tri pika të tjera për t’u diskutuar nga letra e Ban Ki-Moonit – mirëpo edhe të merret pajtimi i Prishtinës.
Megjithatë, arsyeja kryesore pse këto bisedime teknike, me ndërmjetësim të OKB-së, ende nuk kanë marrë fund - sipas këtij burimi - është se, propozimin për regjionalizmin e Kosovës, dhe zgjidhjet e ofruara bashkë më të, është kundërshtuar shtetet e Quintit (SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia).
Sidoqoftë, që propozimi për regjionalizimin e veriut e Kosovës të jetësohet, duhet të pajtohet edhe Prishtina. Nëse pushteti në Prishtinë bën një gjë të tillë, atëherë ai duhet të heqë dorë pjesërisht, nga plani i Ahtisaarit, e me këtë edhe të ndryshojë disa nga 41 ligjet e miratuara. Por, problem këtu paraqiten edhe serbët që jetojnë në pjesët të tjera të Kosovës, të cilët kundërshtojnë ndarjen administrative të Kosovës.

(s.g/Telegrafi/BalkanWeb) 



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›