E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu takim me përfaqësues të Luginës së Preshevës

Prishtinë - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot një delegacion të Luginës së Preshevës, të përbërë nga Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit, Ragmi Mustafa, kryetar i Kuvendit të Komunës së Preshevës dhe Nadër Sadiku, kryetar i Komunës së Preshevës. Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe për zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës, me ç’rast Presidenti Sejdiu dhe përfaqësuesit e komunave të Luginës së Preshevës shprehën shqetësimet e përbashkëta për zhvillimet jo të mira që kanë ndodhur në kohën e fundit, me arrestimet që ka bërë ministria e punëve të brendshme të Serbisë.

Presidenti Sejdiu u angazhua për krijimin e politikave që ofrojnë popujt dhe bashkëpunimin në mes të dy vendeve sovrane, në interes të qytetarëve të të dy vendeve. Në vijim, Presidenti Sejdiu tha se Kosova ka mbështetur dhe ka aprovuar si bazë të rëndësishme për sistemin e saj kushtetues projektin e Presidentit Ahtisaari, i cili është një model i mirë që ofron shanset më të mira të gjetjes së vetvetes dhe marrjes së rolit të aktorit të rëndësishëm në proceset demokratike dhe të zhvillimet brenda vendit.

“Mendojmë, po ashtu, se standardet ndërkombëtare dhe ato që parashihen me konventa më të rëndësishme që kanë të bëjnë me të drejta të njeriut dhe të komuniteteve duhet të respektohen edhe në Serbi”, pohoi Presidenti.

Presidenti Sejdiu gjatë këtij takimi ka kërkuar nga Republika e Serbisë që të shkëputet nga qasja irracionale që ka deri tash, në njërën anë duke mbajtur në tension dhe peng qytetarët serbë të Kosovës me pjesë të strukturave paralele që kanë borxh ndaj drejtësisë dhe, në anën tjetër, me ngritjen e tensioneve në tri komunat e jugut të Serbisë.

Ndërsa z, Jonuz Musliu dhe përfaqësuesit e tjerë të Luginës së Preshevës, pasi që shprehën shqetësimet e tyre për zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevës, veçmas pas 26 dhjetorit e këndej, vlerësuan se situata edhe ashtu e brishtë, është tensionuar edhe më shumë në këtë rajon, veçmas pas arrestimeve të fundit dhe koncentrimit të madh të forcave policore serbe dhe të xhandarmërisë në lokalitetet e komunave të Luginës.

Gjithashtu, ata u angazhuan për parimet e vlerave të reciprocitetit në respektimin e të drejtave të komuniteteve pakicë, në mënyrë që ato të vlejnë njësoj në të gjithë rajonin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›