Sejdiu uron presidentin e zgjedhur Obama, i shpreh mirënjohjen Bushit
PRISHTINE-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i është bashkuar liderëve nga mbarë bota në urimet për senatorin Barak Obama i cili i fitoi zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Sejdiu e quajti model të demokracisë mënyrën se si amerikanët zgjodhën të preferuarin e tyre për të udhëhequr shtetin.” Ne cmojmë jashtzakonisht shumë rolin që SHBA-të kanë pasur, kanë dhe do të kenë për Kosovën . Për ne është me rëndësi që të gjitha administratat e deritanishme dhe këto në vazhdim , kanë pasë përkushtim të thellë që Kosovën ta ndihmojnë në radhë të parë lirinë njerëzore dhe lirinë e popullit të saj dhe natyrisht në proceset tjera që i kemi përpara ”, tha ai.
Sejdiu, shprehu mirënjohje të thellë edhe për senatorin republikan John MekKejn por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të administratës së presidentit Bush dhënë Kosovës. Ai u shpreh i bindur se kursi i politikës amerikane karshi Kosovës do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht faktit se demokratët po kthehen në Shtëpinë e Bardhë pas tetë vitesh . “Demokratët kanë qenë po ashtu në proces të mbështetjes për Kosovën. Por dua të them se SHBA-të kanë qenë dhe janë në mbështetje të Kosovës. Pra ka qenë një kurs konstant në mbështetje të Kosovës. Juve u kujtohen vërejtjet e Kërshendellave të 92-shit të presidentit Bush plakut. Ju kujtohet edhe intervenimi i thellë i SHBA-ve bashkë me aleatët e NATO-së në vitin’ 99-të dhe tani së fundi kjo që bëri presidenti Bush “, tha Sejdiu.
Të gjitha këto fakte, sipas Sejdiut, tregojnë se nuk do të ketë ndryshim të politikës amerikane karshi Kosovës.
(d.b/RTK/BalkanWeb)