Sejdiu:Vizita në SHBA, historike për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka deklaruar se vizita e tij në Shtetet e Bashkuara ishte shumë e rëndësishme dhe historike. Sejdiu u prit nga sekretarja e Shtetit Hilari Klinton dhe zëvendëspresidenti Xho Bajden. Gjatë vizitës së tij përtej oqeanit, është rikonfirmuar mbeshtetja e SHBA-së ndaj Kosovës. "Është një vizitë historike për Kosovën, sepse patëm nderin e vecantë që të priteshim nga kjo administratë që ka pak më shumë se një muaj që ka marrë detyrën. Kjo vizitë është e rëndësishme pasi është konstatuar një politikë konstante e administratave amerikane ndaj Kosovës, të cilat kanë mbështetur pavarësinë", është shprehur Sejdiu në një intervistë për Zërin e Amerikës. Kreu i shtetit kosovar ka nënvizuar gjithashtu se gjatë takimeve, përveç mbështetjes së SHBA-së, është folur edhe për sfidat që ka përpara Kosova. "Kosovës tani i duhet rimëkëmbja ekonomike, zgjerimi i njohjeve për t'u anëtarësuar në institucionet ndërkombëtare dhe sigurimi i një stabiliteti afatgjatë", ka theksuar Sejdiu. Presidenti kosovar ka shtuar se vizita në Uashington ka qënë edhe një masë ndaj përpjekjeve të Serbisë për të penguar njohjen e mëtejshme të pavarësisë.