Obama:Misioni në Irak përfundon në 2010

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama ka lajmëruar se do të kryente tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Iraku deri më 31 gusht të vitit 2010, por që do të linte atje rreth 50 mijë trupa tranzitore. Obama e bëri këtë deklaratë në "Kemp Lezhën", një bazë ushtarake detare në Karolinën e Veriut. Lajmërimi i Obamës përmbush një premtin kryesor të tij, të bërë vitin e kaluar gjatë fushatës zgjedhore, sipas të cilit do të tërhiqte trupat nga Iraku, për t'i përqendruar në Afganistan. "Si kandidat për President, e kam bërë të qartë mbështetjen time për tërheqjen e trupave nga Iraku brenda 16 muajsh, edhe pse duheshin bërë konsultime me komandantët tanë të lartë, për të ruajtur fitoret që kemi arritur dhe mbrojtjen e trupave tona. Këto konsultime janë kompletuar tashmë, dhe unë kam zgjedhur rrugën për të lëvizur urat tona të luftimeve në 18 muajt e ardhshëm", deklaroi Obama. Koha e tërheqjes së trupave e përcaktuar nga Obama shënohet në rrethana historike, në një luftë jopopullore që i ka kushtuar shumë SHBA-së dhe që ka karakterizuar presidencën e Xhorxh W. Bush. Lufta në Irak iu ka marrë jetën rreth katër mijë e 250 ushtarëve amerikanë dhe ka minuar reputacionin e Shteteve të Bashkuara në botë. "Por të mos kemi dyshime: Iraku nuk është akoma i sigurt, dhe atje do të ketë ditë të vështira përpara. Aktet e dhunës do të vazhdojnë të jenë pjesë e jetës në Irak. Shumë cështje politike thelbësore mbeten të pazgjidhura", shtoi ai. Rreth 35 mijë deri në 50 mijë nga 142 mijë trupat amerikane që janë tani në Irak, do të qëndrojnë aty edhe pas 31 gushtit 2010, për të trajnuar forcat irakiane, mbrojtur projektet civile në rikonstruktimet dhe për të drejtuar operacionet antiterroriste.