Sejdiut i lëkundet karrigia
Barazimin e fundit ‘Xehetarët’ e regjistruan të dielën si mysafirë të Gjilanit (0:0), derisa në dy ndeshjet e mëparshme ata e kishin fituar vetëm nga një pikë në duele me Dritën e Besën.
Këto rezultate nuk po i kënaqin mitrovicasit, të cilët dëshirojnë që sivjet të stolisen me titull të kampionit. Andaj, Gani Sejdiut ka nisur t’i lëkundet karrigia e shefit të shtabit teknik.
Mirëpo, burimet e gazetës Express brenda këtij klubi kanë bërë të ditur se të hënën do të kuptohet nëse Sejdiu do të vazhdojë apo jo ta kryejë detyrën e trajnerit, pas një takimi që do ta zhvillojë ai me anëtarët e Kryesisë së Trepçës ’89.
Minatorët aktualisht pozicionohen në vendin e katër të renditjes tabelore me 25 pikë të tubuara, pesë më pak sesa lideri Prishtina. Prej pesëmbëdhjetë ndeshjeve të zhvilluara, Trepça ’89 i ka shënuar gjashtë fitore, ndërsa i ka pësuar dy humbje. Mirëpo, në shtatë takime të tjera ka luajtur baras.