E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komplotet dhe krijimi i paragjykimeve

Claudio Magris interviston Umberto Eco-n për librin e tij të ri "Varreza e Pragës".

Hebrenj që duan të dominojnë botën, masonë që mbajnë yzengjitë e revolucioneve, jezuitë ambigë dhe sidomos shpikja e armikut: Eco tregon falsitetin e teorive konspirative të shumta të bazuara në dosje të shkruara prej kohësh dhe të përhapura me parullën "thuhet se..."

Në librin “Varreza e Pragës” nuk janë vetëm hebrenjtë që akuzohen në bazë të dokumenteve false ose të fshehura, ose të shpikura, ose të mirëfillta, por të keqkuptuara për komplote të errëta dhe të pabesa për të dominuar botën; bashkë me ta janë edhe jezuitët, masonët, Garibaldi, monarkistët... Madje edhe akuzuesit, informatorët dhe falsifikuesit i shkëmbejnë rolet, kombësitë dhe përkatësitë ideologjike.

Fakti që hebrenjtë janë në qendër të këtyre makinacioneve, do të thotë gjithashtu se ata janë të përndjekur dhe të neveritur per eccellenza dhe prandaj, në këtë rast, janë përfaqësues simbolikë të të gjitha viktimave të falsifikimeve, një mënyrë e tmerrshme për të qenë populli i zgjedhur?

Umberto Eco: Një herë Abraham Yehoshua më kërkoi të merrja pjesë në një libër kolektiv, në të cilën pyetja kryesore ishte "pse pikërisht hebrenjtë?". Mbaj mend se kisha thënë jo, sepse, pavarësisht nga sa do thosha, të paktën një hebre do të zemërohej me mua. Tani i kam futur hundët në këtë çështje, por jo për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Ti, në veçanti, në një vepër tënden je përpjekur të kuptosh botën hebraike, të paktën atë të Europës Lindore, nga brenda, dhe falë teje edhe ne e kemi kuptuar më mirë. Në romanin tim, me qëllim, nuk kam futur çifutë, përveç një vajze që duket për një minutë e gjysmë, dhe disa rreshtave për dr. Frojdin. Personazhi im, antisemit i tërbuar, nuk i ka takuar kurrë hebrenjtë. Dhe është ky aspekt i antisemitizmit që më ka goditur gjithmonë. Mund të jesh antisemit, pa parë ndonjëherë një hebre, siç mund të jesh në thelb pedofil, pa pasur ndonjëherë guximin për të prekur një fëmijë. Ajo që ngre peshë për mua, është çështja e antisemitizmit, kjo e obsesionon Simoninin tim, që “i shet” hebrenjtë si fantazma, si një Tjetër që është e domosdoshme të imagjinohet, për t’u riforcuar në identitetin tënd kombëtar ose provincial. Rackovskij, kreu i spiunazhit rus, thotë në roman se ai është i kënaqur që ekzistojnë hebrenjtë, sepse “Duhet një armik për t'i dhënë popullit një shpresë. Dikush ka thënë se patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve: ai që nuk ka parime morale, zakonisht mbështillet në një flamur, bastardët rikujtojnë vazhdimisht pastërtinë e racës së tyre. Identiteti kombëtar është pasuria e fundit e të shpronësuarve. Tani kuptimi i identitetit bazohet në urrejtje, në urrejtjen për atë që nuk është i njëjtë me ty. Urrejtja duhet të kultivohet si një pasion qytetar. Armiku është miku i popujve. Duhet gjithnjë dikush për t'u urryer, për të justifikuar kësisoj mjerimin tënd. Urrejtja është pasioni i vërtetë i zanafillës. Është dashuria ajo që është një gjendje anormale.” Tani, nëse unë do t’i përgjigjesha Yehoshua-së, do të thosha se të gjitha komplotet e tjera të historisë kanë pasur një jetë të shkurtër. Çifutët, njerëzit e Librit, për shkak të forcës e kulturës dhe aftësisë për të ruajtur identitetin e tyre gjatë shekujve, janë cilësuar si Tjetri më i fortë, dhe prandaj mbi ta shkarkohet (pothuajse nga inercia) urrejtja ose të paktën mosbesimi për tjetrin ndryshe.

Në roman personazhi kryesor dyfishohet, a është ky një rigjallërim i mitit të madh të dyfishimit të personalitetit, që gjendet si në literaturën edhe në jetën reale? Duket se ka pasur raste - rrallë – të një individi me gjashtëmbëdhjetë personalitete të alternuara. Por në roman jo vetëm Simonini dhe Dalla Piccola, por pothuajse të gjithë janë disi të "tjerë", fluid me vetveten, në një karusel të tmerrshëm, në të cilën personazhet janë si maska që vihet e hiqet, dhe ndoshta ekziston vetëm karuseli qesharak dhe mizor i jetës...

Umberto Eco: Dyfishimi është thelbësor në historinë e letërsisë. Kur shkrova “Ishulli i një ditë më parë”, që ishte roman "në barok," u detyrova të futja një personalitet të dyfishtë, sepse traktatet e kohës e konsideronin të nevojshëm në një roman. Në rastin e këtij romani të fundit, natyrisht, dyfishimi i personalitetit ishte një pjesë thelbësore e karakterit dhe e botës që e rrethonte. Kam hulumtuar shumë në studimet për histerinë, të Sharkosë, dhe dukuritë e unit të ndarë. Drama dyfishohet, kur Tjetri, përveçse para jush, është edhe brenda jush.

Një formë e paragjykimit delirant që ka qenë gjithmonë në shënjestrën tuaj të preferuar janë ethet e komplotit, mania për të parë komplote kudo, intriga, manovra të fshehta, si në plan individual edhe kolektiv. Paranoja është ende atje dhe ka një tërheqje të fortë. A nuk mendoni, megjithatë, se kronika politike ofron gjithmonë e më shumë arsye për të pyetur nëse nuk ka në të vërtetë drama të errëta, komplote që synojnë të mbytin gjithmonë e më shumë liritë? A e dimë se çfarë ka ndodhur ndoshta në Ustikë, ose me vrasjen e Kenedit? Kur e vërteta shfaqet e rrezikshme për qeveritë, ajo zbulohet vetëm kur nuk është më politikisht efektive dhe e rrezikshme, ose shumë vonë.

Umberto Eco: Unë mendoj se komplotet kanë ekzistuar gjithmonë, si ai për të vrarë Cezarin apo Marrëveshja ndërmjet Viktor Emanuelit III dhe Badolios për të nxjerrë nga skena Musolinin. Por paranoja e komplotit (dhe Protokollet e Pleqve të Zionit janë për fat të keq shembulli më i famshëm) është e tillë që njerëzit vrasin mendjen për një komplot të përhershëm, në prani të një drejtuesi okult, që drejton fatin e botës - edhe kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mundet. Paranoja e komplotit përjashton nga historia kompleksitetin, të papriturën, zbulimin, lirinë e rastit, dredhitë e arsyes, heterogjenezën e qëllimeve. Prandaj është paranojë.

Të kam parë në një shfaqje televizive dhe të admirova për zgjuarsinë për të mos e lënë librin tënd të binte në kurthet ideologjike. Mbeta gjithsesi i habitur, për shkak se të gjitha pyetjet u përqendruan në çështjet e fakteve dhe problemeve, antisemitizmin, masonët, jezuitët, dhe kështu me radhë, sikur po flitej për një studim historik dhe jo për një roman, në të cilën pa dyshim kanë rëndësi faktet dhe idetë, por ajo që ka rëndësi mbi të gjitha është si janë thënë, si janë rishpikur, si janë kthyer në një ligjërim artistik. ...Ajo që mbetet përgjithmonë në zemër është poezia e misterit e fshehur, dashuria, era në lumë ose në zjarr, melankolia që mund të njohësh vetëm emrat e jetës dhe jo jetën.

Umberto Eco: Ne e dimë nga përvoja se njerëzit nuk dinë të lexojnë romane. Nuk dinë të lexojnë as esetë, por shumica e njerëzve që të shkruajnë, pasi ke botuar një roman, kanë shkuar fillimisht për të parë nëse ajo gjë ka ndodhur me të vërtetë, ose i atribuojnë autorit gjërat që ka thënë personazhi. Pas botimit të “Emri i trëndafilit”, ta dish ti sa njerëz donin të dinin se ku ishte dorëshkrimi në të cilën unë isha frymëzuar... Por mendoj se është e drejtë që për romanin tim të fundit, të merresh me komentet për përmbajtjen e tij "historike": Për mua nuk është aq e rëndësishme nëse e vlerëson teknikën narrative (edhe pse unë kam punuar aq shumë), por, si të thuash, për mua ka vlerë impulsi moral. Doja të ndihmoja për të hedhur poshtë një mit që jeton prej një jete. Një recensues jodashamirës ka pyetur pse kam humbur kaq kohë për të provuar se Protokollet janë një falsifikim, pasi kjo gjë dihet tashmë. Por, për hir të Zotit, sepse, pavarësisht nga shumë prova, në shumicën e botës vazhdojnë t’i marrin seriozisht. Kam shkruar duke shpresuar se një roman është më bindës sesa një ese, dhe e kam përdorur formën e romanit për të treguar një histori të vërtetë.

Po, ato keqkuptime ndodhin shpesh, veçanërisht, ndoshta, ndaj shkrimtarëve si ne, nga të cilat pritet përherë diçka "objektive", historike ose shkencore në lidhje me... Mua më ndodhi me Danubin, dhe me libra të tjerë artistikë. Përveç kësaj, komploti, intriga, janë elemente konstituive të romanit me aventura. Ne jemi njerëz të leximeve tepër të sofistikuara, por për të formuar imagjinatën tonë kanë qenë thelbësore romanet e aventurave, ku gjithçka është e mundur, me kurthe të errëta dhe të gjalla...

Umberto Eco: Romanet e aventurave nuk na magjepsin vetëm ne, si thua ti, njerëz të leximeve të sofistikuara. Ajo që libri im përpiqet të tregojë, është se romanet e aventurave janë përdorur pikërisht edhe për ndërtimin e teksteve antisemite, sepse njerëzit (duke përfshirë krerët e agjencive të fshehta) besojnë vetëm atë që e kanë dëgjuar diku. Për këtë arsye, edhe sot, dosjet sekrete përbëhen vetëm nga copa gazetash, dhe pothuajse gjithmonë nga shtypit skandalistik, që është fejtoni i ditëve tona.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›