E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretaret, Alibeaj: Nuk tërhiqem

Ministri i Drejtësisë tha dje se, sekretaret gjyqësore janë nën presionin e gjyqtarëve për të mos pranuar urdhërin e tij. 

Fatos Mahmutaj

Enkelejd Alibeaj e argumentoi këtë akuzë me faktin se, në informacionin e përditshëm që i mbërrinte në zyrë, oraret e nisjes së seancave ishin të njëjta me ato që ishin përcaktuar më parë. Ministri hodhi dyshimin se, raporti mund të manipulohet, pasi është fakt që për shkak të ngarkesës së punëve mund të ndodhë që seancat gjyqësore mund të shtyhen për pak minuta. Sipas ministrit, shtyrje të tilla të seancave gjyqësore janë të pranueshme për vetë gjendjen, në të cilën ndodhet gjykata, ndërsa në mbledhjen e pak ditëve më parë ai u kishte kërkuar sekretareve që të regjistronin në raport, orën e saktë të nisjes së seancave dhe jo duke e rrumbullakosur këtë në 30 minutëshin më të afërt. Dy vizita, brenda tre ditësh, javën e kaluar të ministrit Alibeaj në Gjykatën e Tiranës nxitën pakënaqësi të gjyqtarët kryeqytetas, të cilët reaguan ashpër, duke akuzuar ministrin deri te mllefe personale ndaj tyre. Dje, gjatë një takimi me gazetarët që raportojnë kronikën e gjyqësorit, ministri Alibeaj përsëriti se urdhri i tij për sekretaret gjyqësore nuk ka të bëjë aspak me atë që thuhet prej gjyqtarëve “teori konspirative ose praktikë konspirative të monitorimit apo ‘të spiunimit’ të gjyqtarëve”. Ndërkohë, në një njoftim zyrtar të mëparshëm Ministria e Drejtësisë pohon se, urdhri i Alibeaj bën fjalë thjesht dhe vetëm për zbatimin e detyrimeve ligjore që palët në një proces gjyqësor, gjyqtarët fillimisht, kanë në respektim të solemnitetit, etikës, transparencës që duhet të karakterizojë procesin. Rreth një javë më parë, ministri Alibeaj organizoi një mbledhje me sekretaret e Gjykatës së Tiranës, të cilave u kërkoi veç tjerash të mos zbardhin vendimet gjyqësore dhe t’i raportojnë atij çdo ditë për proceset gjyqësore, në të cilat kanë marrë pjesë. Urdhrat e ministrit sollën reagimin e ashpër të gjyqtarëve, mes të cilëve edhe kryetares së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, që kërkuan një takim me të. Takimi u realizua tre ditë pas atij me sekretaret, ndërsa Alibeaj për rreth dy orë u përball me ankesat e gjykatësve. Të irrituar, togat e zeza i paraqitën si shqetësim ministrit raportin e detajuar për seancat gjyqësore, që sekretaret duhet të mbanin çdo ditë për t’ia dërguar të printuar ministrit, çka ai fare mirë mund ta gjente në ueb-siten e gjykatës. Gjatë debatit, ministri nuk kurseu akuzat nga gjyqtarëve, duke pretenduar për humbje të besueshmërisë ndaj tyre. Debati mes Alibeaj dhe gjyqtarëve u ashpërsua derisa disa prej togave të zeza i kërkuan personalisht ministrit t’iu thoshte nëse i kishin kërkuar ryshfet gjatë kohës që ai punonte si avokat. Në fund, ministri nuk kurseu as Gjykatën e Lartë, duke e quajtur si institucionin më të paaftë në gjyqësorin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›