Sekretari gjerman i Shtetit Schauerte vlerëson reformat e jashtëzakonshme të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij

- “Reformat janë të jashtëzakonshme dhe në drejtimin e duhur. Qasja juaj politike dhe ekonomike është bashkëkohore dhe e ka shndërruar Shqipërinë një vend atraktiv në botë”
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në Konferencën e dytë sektoriale shqiptaro – gjermane; “Perspektivat e tregut në Shqipëri; Energjetika – Mjedisi – Ndërtimi”. Të ftuar në këtë konferencë ishin z. Hartmut Schauerte, Sekretar Shteti pranë Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Gjermanisë, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, z. Bernd Borchardt, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë së të dy vendeve, sipërmarrës të mëdhenj vendas e të huaj , etj.
Z. Hartmut Schauerte, Sekretar Shteti pranë Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Gjermanisë, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se Gjermania e ka mbështetur afrimin e Shqipërisë drejt standardeve europiane, në hapjen e dyerve drejt Europës. “Procesi i Asociimi-Stabilizimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe marrja e ftesës për anëtarësim në NATO janë një dëshmi shumë e mirë dhe kjo nuk është thjesht e thënë, por tashmë është e realizuar”, u shpreh ai.
Z. Schauerte u shpreh se reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare “janë të jashtëzakonshme dhe në drejtimin e duhur”. “Qasja juaj politike, pa diskutim, është bashkëkohore, moderne dhe efikase, në çdo formë dhe e ka shndërruar Shqipërinë një vend atraktiv në botë”, vijoi Z. Hartmut Schauerte. Ai inkurajoi investitorët gjermanë që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, duke theksuar se “një vend i vogël si Shqipëria mund të ofrojë mundësi më të mira”.
Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Gjermanisë, u shpreh se dy vendet tona duhet të bashkëpunojnë më tej, duke pasur besim tek njëri –tjetri. “Ky është një vend ideal për njerëz të cilëve Gjermania u duket shumë e madhe ose shumë e vogël dhe për njerëz të cilët kërkojnë tregje të reja dhe potenciale të reja. Pra, e theksoj, ia vlen të hedhim sytë nga Shqipëria. I uroj vendit tuaj një zhvillim të mirë dhe Ju, një qeverisje të mirë dhe të gjatë”, përfundoi ai.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë në çdo sektor të zhvillimit dhe për vendosjen e Shqipërisë në vendin e parë, për sa i përket ndihmës ekonomike për frymë.
Kryeministri u ndal në një sërë nismash të ndërmarra nga qeveria në këto tri vjet, për krijimin e një klime pozitive për investimet e huaja, si lehtësimi i barrës fiskale, ndjekja e politikave të taksave të ulëta, “one stop shop” për regjistrimin e biznesit, prokurimet on – line, taksa on – line, krijimi i një legjislacioni lehtësues për investitorët, reduktimi i lejeve dhe licencave, etj. “Ju siguroj se kemi punuar dhe po punojmë shumë në çdo element të klimës së biznesit, për ta bërë Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse në botë për investimet e huaja", u shpreh Kryeministri.
Për të gjitha këto reforma, theksoi Kryeministri, Shqipëria u vlerësua nga raporti “Të bësh biznes” vendi i dytë në botë për reformat e ndërmarra në klimën e biznesit, për vitin që kaloi.
Më tej, Kryeministri theksoi se, krahas gjithë potencialeve të mëdha natyrore dhe suksesit të reformave, pasuria më e madhe e Shqipërisë janë vet shqiptarët, “njerëz të cilët kanë një shpirt solid në iniciativën e lirë, njerëz që punojnë shumë, që sakrifikojnë, që kanë një ambicie të madhe për të mësuar dhe për të ndryshuar jetën e tyre”.
Kryeministri u ndal dhe në përpjekjet e mëdha të qeverisë për forcimin e sistemit arsimor në vend, ku u shpreh se “tre vjet më parë, Shqipëria ishte në fundin e renditjes botërore, për sa i përket përdoruesve të internetit, por, me programet ambicioze të qeverisë, vitin e kaluar kemi pasur rritjen më të lartë në Europë dhe këtë vit do të jemi gjithashtu vendi më i lartë në Europë. Ne po ecim me shpejtësi drejt moshës dixhitale, në mënyrë që t’u ofrojmë shqiptarëve shërbimet më të mira, t’i aftësojmë ata në këto kushte”.
Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi se një faktor i rëndësishëm në thithjen e investimeve të huaja është edhe ndryshimi total i infrastrukturës së vendit. “Infrastruktura e vendit po ndryshon kudo dhe janë mijëra kilometra rrugë në ndërtim e sipër, ujësjellës, kanalizime, etj” tha Kryeministri Berisha.
Duke tërhequr vëmendjen për fushat e ndryshme ku mund të investojnë bizneset e huaja, Kryeministri u ndal dhe në potencialet e mëdha hidrike të vendit, duke theksuar se Shqipëria është një vend plot me ujëra dhe janë rreth 400 hidrocentrale të përmasave të ndryshme, që do të ndërtohen. “Ambicia e madhe e qeverisë që unë kryesor është ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi të vogël energjetike”, tha Kryeministri.
Kryeministri siguroi të pranishmit për vëmendjen e plotë të qeverisë në lehtësimin e punës dhe krijimin e një klime mbështetëse për çdo investitor, duke u shprehur se, krahas gjithë faktorëve realë të përmendur, çdo sipërmarrës ka dhe një faktor shtesë për të ardhur në Shqipëri, “një mik të vërtetë, të vendosur për të kontribuar në suksesin e tyre dhe ky mik është qeveria shqiptare”.
21/10/2008