Kryeministri Berisha pret Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrine Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Republikës Federale të Gjermanisë
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Z. Hartmut Schauerte, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të konferencës ekonomike Gjermani-Shqipëri në krye të një delegacioni prej 80 sipërmarrësish gjermanë, nga kompanitë më prestigjioze të Gjermanisë.
Z. Schauerte pasi falenderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale në planin politik janë të shkëlqyera dhe se ato në planin ekonomik janë shumë të mira, por është e rëndësishme që të çohen në një nivel akoma më të lartë.
Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Republikës Federale të Gjermanisë theksoi se konferenca ekonomike është një dëshmi e interesimit të madh të investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri si dhe një fryt i progresit të admirueshëm të Shqipërisë si dhe konsolidimit të kuadrit ligjor të ekonomisë shqiptare, i cili është i dukshëm vitet e fundit.
Kryeministri Berisha duke i uruar mirëseardhjen shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj qeverisë gjermane për kancelaren Merkel, popullin gjerman për ndihmën që i kanë dhënë zhvillimit të vendit tonë. Kryeministri theksoi se ka qenë e jashtëzakonshme ndihma ekonomike e Gjermanisë në të gjitha fushat dhe në të gjithë vendin, ndihmë që ka dhënë një kontribut shumë të madh në ndryshimin e Shqipërisë në fusha jetike për popullin shqiptar, si furnizimi me ujë, furnizimi me energji, rendi dhe siguria, arsimi etj.
Vetë fakti, vijoi Kryeministri, që unë kam inauguruar një numër të madh projektesh të investitorëve gjermanë është dëshmi e një suksesi të vërtetë e biznesit gjerman në Shqipëri. Në këtë kuadër Kryeministri Berisha përmendi projektet tejet të rëndësishme të unazës energjetike të jugut, projektin për pastrimin e Liqenit të Ohrit, projektet e linjave të interkonjeksionit elektrik Tiranë-Podgoricë, Tiranë Prishtinë etj.
Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se edhe në sistemin financiar institucioni prestigjioz financiar Deutsche Bank është një ndër investitorët më të rëndësishëm në Shqipëri.
Nga ana e tij Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Republikës Federale të Gjermanisë u shpreh se është e vërtetë që asistenca ekonomike gjermane është më e larta për frymë për Shqipërinë dhe theksoi se kjo ka ardhur si rezultat i zhvillimit të dukshëm ekonomik të Shqipërisë, i zbatimit me rigorozitet të reformave në vendin tonë, i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe mbështetjes së qeverisë shqiptare për investimet e huaja.
Kjo vijoi më tej Z. Schauerte i ka dëshmuar Gjermanisë se asistenca financiare për Shqipërinë ka qenë plotësisht e merituar.
Gjithashtu Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrine Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Republikës Federale të Gjermanisë theksoi se ka një interesim të madh të investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri edhe në fushën e prodhimit termik dhe hidrik të energjisë, në porte, në përpunimin e mbetjeve urbane sipas standardeve të BE-së etj.
20/10/2008