Sekretari i MPB-së paralajmëron “gjakderdhje"

Përfaqësuesit e kompanisë austriake OeSD janë ankuar se kanë marrë kërcënime nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi . Për këtë ka njoftuar ambasadorin e Austrisë në Kosovë Johann Brieger.
Sekretari permanent i Ministrisë së Punëve te Brendshme ka qenë tejet armiqësor në takimin me ne, disa herë ka bërtitur, ka kërcënuar dhe refuzuar çdo lloj shpjegimi, duke i vazhduar kërcënimet”, ka shkruar ai në një letër të cilën e ke siguruar “Koha Ditore”.
Ton të ngjashëm me atë që ka përshkruar austriaku Gerhard Wast, Ilhami Gashi ka pasur edhe me gazetën kur i ka telefonuar për të marrë më shumë sqarime. Sekretari i Ministrisë në të cilën po vidhen miliona euro ka akuzuar se gazeta “po e bën horë Kosovën me shkrimet e saj”. Ai ka paralajmëruar edhe “derdhje gjaku nëse është nevoja”.
“Krejt o në proces dhe s’ka çka me diskutu, ne jemi në negociata”, ka thënë ai. Kur i është kërkuar sqarim nëse ka kërcënuar austriaket, Gashi i ka quajtur hajna për t’i drejtuar akuzat drejtë gazete.
“Po çka po më intereson çka kanë thanë, kush janë ata me na thanë neve. Krejt janë me kontratë. Çka thojnë ata hajna, mu s’um intereson, qikaq. Edhe ju mos me provokoni ma. Unë jam tu e kry punën time me nder, hera e parë që i kam taku edhe ju kam tregu: me Kosovën hajgare s’munden me ba se Bangladesh nuk oshtë. Çka kanë problem, janë arbitrazhet”, ka thënë sekretari i MPB-së i cili ka negociuar të mërkurën me përfaqësues te kompanisë austriake, që ka fituar tenderin për prodhimin e pasaportave për te zgjidhur problemin e shlyerjes së detyrimeve donatore. /Indeksonline.