Sekretari i Mbrojtjes: SHBA nuk ka parë asgjë që të tregojë se presidenti Putin ka vendosur të përdorë një “bombë të pisët”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin u tha gazetarëve sot se SHBA ende nuk ka parë asgjë që të tregojë se presidenti rus Vladimir Putin, ka vendosur të përdorë një “bombë të pisët”.
Ai tha se ka shqetësime të vazhdueshme se konflikti mund të përshkallëzohet dhe kjo është arsyeja pse është kritike për SHBA-në të mbajë linjat e komunikimit të hapura me aleatët dhe me Rusinë.
“Ne do të vazhdojmë të komunikojmë sepse çdo lloj përdorimi i një arme të atij lloji, apo edhe biseda për përdorimin e një arme të atij lloji, është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme,” tha Austin, i cili foli dy herë me homologun e tij rus në javën e fundit.
“Është e rëndësishme të sigurohemi që po flasim me kundërshtarët dhe aleatët njësoj dhe të sigurohemi që po zvogëlojmë tonet e rrezikshme.”
I pyetur nëse ka shqetësime se Rusia mund të përdorë stërvitjet e saj të ardhshme bërthamore si një mbulesë për një sulm brenda Ukrainës, Austin tha, “është diçka që ne vazhdojmë ta shikojmë. Ne nuk kemi parë asgjë që të na bëjë të besojmë në këtë pikë se ky është një lloj aktiviteti mbulues.”
Moska ka paraqitur vazhdimisht pretendimin e pabazë se Ukraina po përgatitet të përdorë një “bombë të pisët”, një mjet shpërthyes me material radioaktiv, në territorin e saj. Zyrtarët perëndimorë e kanë hedhur poshtë këtë pretendim si dezinformatë të krijuar ndoshta si një pretekst për Rusinë për të justifikuar përshkallëzimin e sulmit të saj ushtarak. Apnews
/rtsh.al/