Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Mirënjohje për reformat e jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe kontributin personal të kryeministrit Berisha

Kryeministri Berisha priti sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut Z. Jaap de Hoof Scheffer. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi me mirënjohje të thellë për përkrahjen dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që personalisht Sekretari Scheffer, stafi ndërkombëtar dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut i dhanë Shqipërisë, për të realizuar me sukses anëtarësimin në NATO, ngjarjen më të madhe historike pas pavarësisë së Shqipërisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Scheffer, e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha, për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke vlerësuar se për të është një kënaqësi e veçantë që takohet sot me Kryeministrin që udhëhoqi vendin e tij në NATO. Sekretari Scheffer i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e tij, për përpjekjet dhe reformat e jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare si edhe për kontributin personal të Kryeministrit Berisha për kryerjen me sukses të tyre. “Ishin arritjet e këtyre reformave te rëndësishme ato, qe binden aleatet te pranojnë Shqipërinë si anëtare e plotë e NATO-s” – u shpreh Scheffer.
Sekretari Scheffer shtoi gjithashtu se Aleanca vlerëson lart faktin, që Shqipëria është sot një kontribuuese reale për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, përmes politikave të saj konstruktive e të moderuara si dhe kontributin e rëndësishëm, që ushtarakët shqiptarë japin në shërbim të paqes dhe sigurisë në Afganistan dhe në vende të tjera. “Ju jam shumë mirënjohës për politikat tuaja të moderuara e konstruktive në shërbim të sigurisë e stabilitetit në rajon, si dhe për kontributin e Shqipërisë në Afganistan dhe jemi te lumtur te vazhdojme kete bashkëpunim me ju tashme si vend anetar i NATO-s” u shpreh Scheffer.
Në takim u diskutua gjithashtu mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri Berisha e siguroi Sekretarin Scheffer se qeveria është tërësisht e angazhuar për të realizuar zgjedhjet më të mira, që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë kuadër, qeveria shqiptare ka ndërtuar infrastrukturën zgjedhore më moderne dhe po pajis qytetarët shqiptarë me kartat e identitetit më të sigurtat në Europë.
Në vijim, Kryeministri Berisha e njohu Sekretarin Scheffer me reformat e tjera të ndërmarra nga qeveria shqiptare në të gjitha fushat dhe arritjet e rëndësishme gjatë këtyre katër viteve. Duke u ndalur në veçanti, në luftën me zero tolerancë kundër krimit e korrupsionit, reformat ekonomike e fiskale, modernizimin e forcave të armatosura dhe kthimin e tyre në një ushtri tërësisht profesioniste, etj.
Në vijim u diskutuan gjithashtu zhvillimet në rajon, në veçanti Kosova. Kryeministri Berisha theksoi në këtë kontekst se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka kontribuuar realisht në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe se njohja e shtetit më të ri të Europës, Republikës së Kosovës, është faktor vendimtar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e falënderoi Sekretarin Scheffer me mirënjohje të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Aleancës dhe KFOR-it në Kosovë.
08/05/2009