Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Scheffer: Anëtarësimi vendit tuaj nuk ishte dhuratë, por shpërblim për punën e palodhur dhe suksesin e reformave
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në mesditë, në ceremoninë e dhënies së titullit Doktor Honoris Causa, nga senati i Universitetit të Tiranës, Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut Jaap De Hoop Scheffer.
Titulli iu dorëzua Sekretarit Scheffer nga rektori i UT-së Dhori Kule, me motivacionin “Për kontributin e veçantë në realizimin e aspiratës së popullit shqiptar, për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike që mbrojnë vlerat e demokracisë, sigurisë dhe paraqes në botë.”
Në fjalën e tij me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti Scheffer u shpreh:
“Ju falënderoj shumë për fjalët tuaja, zoti rektor, faleminderit për këtë nder që po bëni. Kur unë studioja drejtësi në Universitetin e Leiden, në Holandë, shumë vite më parë më vjen keq ta them, nuk e mendoja kurrë se një ditë do të më jepej doktoratura dhe dua të them që marrja e këtij titulli honorifik nga Universiteti i Tiranës e bën këtë tepër të çmuar.
Gjatë detyrës sime, si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, në 5 vite e gjysmë kam vizituar Shqipërinë dhe Tiranën disa herë dhe gjithmonë më ka mrekulluar entuziazmi, miqësia dhe mikpritja e popullit shqiptar. Sot është vizita ime e fundit zyrtare në Shqipëri dhe është për këtë arsye, e natyrshme që të reflektojmë për atë çka Shqipëria ka arritur dhe NATO gjithashtu, në 5 vite, kur unë kam pasur privilegjin të jem Sekretar i Përgjithshëm. Vetëm 5 vjet më parë, një nga vendimet e mia të parë zyrtare ishte t’i komunikoja 7 vendeve ftesën formale të pranimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Unë gjithmonë kam qenë një mbështetës i fuqishëm i zgjerimit të NATO-s dhe për këtë arsye, ishte një përgjegjësi mallëngjyese për mua dhe një mënyrë e shkëlqyer për të filluar mandatin tim si Sekretar i Përgjithshëm. Dhe prandaj është veçanërisht mallëngjyese për mua dhe një mundësi e lumtur, teksa i afrohem fundit të mandatit tim, të mirëpres anëtarë të rinj në familjen e NATO-s.
Muajin e kaluar, në samitin e Strasburg-Kel, në Francë e Gjermani, Shqipëria dhe Kroacia morën më në fund vendin që u takon në një nga organizatat më të rëndësishme euroatlantike. Anëtarësimi i vendit tuaj, zoti Kryeministër dhe shkëlqesi ambasadorë, nuk ishte një dhuratë, nuk ishte diçka që jepet lehtë. Ishte një shpërblim për punën e palodhur të shumë viteve dhe suksesin e reformave të vështira dhe të shumanshme, të cilat u ndërmorën me vendosmëri të palëkundur. Vërtet, cilësi të ngjashme kërkohen për të arritur përsosmërinë akademike dhe ndërsa studentët përgatiten të shohin drejt të ardhmes së tyre, tashmë ata kanë mundësi të shohin përpara me besim dhe krenari, rezultatet e arritjeve domethënëse të vendit të tyre. Disa rrugë të reja hapen për punësimin e tyre si zyrtarë të NATO-s dhe kush e di, ndonjë ditë, ndonjë i diplomuar nga ky Universitet do të ketë privilegjin të jetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Më lejoni të nënvizoj rëndësinë e prezencës së këtyre personaliteteve kaq të nderuara në këtë ceremoni dhe të kësaj audience të shquar, sa e rëndësishme që është që t’ju shpjegojmë gjeneratave të ardhshme, që tani janë studentë që ju u jepni mësim në këtë Universitet, të kuptojnë se vlerat e Aleancës së Atlantikut të Veriut nuk arrihen automatikisht. Mesazhi im zoti rektor është ky, ju jeni instrumenti më i mirë për t’u transmetuar këto vlera gjeneratave më të reja, gjeneratave të ardhshme, ata që, në të ardhmen, mund të jenë drejtuesit e Shqipërisë, ose në drejtimin e vendeve të tjera anëtare të Aleancës. Fakti që NATO në këto kohë ka në gjirin e saj kontributin shumë të respektuar të Shqipërisë, e cila po jep kontribut të çmuar për konfirmimin e këtyre vlerave në Afganistan, është diçka që asnjeri nuk e merrte me mend 5 vjet më parë, nëse unë do të kisha qenë këtu, duke marrë këtë titull honorifik.
Së fundmi, ju falënderoj zoti rektor që më dhatë doktoraturën Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës, që është një çmim që unë do ta mbaj gjithmonë pranë vetës.
08/05/2009