E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretet e stabilitetit

Autori i Lajmit: Nga Fareed Zakaria (Newsweek)Para një viti, dukej sikur botës i kishte ardhur fundi. Sistemi financiar global, i cili kishte siguruar një zgjerim të madh të kapitalizmit dhe tregtisë në tërë botën, ishte duke u shkatërruar. Të gjitha siguritë e epokës së globalizimit ishin vënë në pyetje. Kishte pësuar kolaps edhe besimi në modelin amerikan. Industria financiare kishte rënë. Tregjet dikur në rritje të madhe, sikur ato në Kinë, Indi dhe Brazil, ishin duke u fundosur. Tregtia botërore ishte në një rënie të madhe, të paparë që nga vitet 1930.
Të gjithë ishin të sigurt për një gjë: asgjë nuk do të ishte më njësoj. As industria financiare, as kapitalizmi, e as vet globalizimi.
Një vit më vonë, sa ka ndryshuar bota në të vërtetë? Epa, “Wall Street” është më i varfër për dy-tri banka financiare. Edhe disa banka regjionale kanë falimentuar. Ka pasur trazira në Moldavi dhe, krejtësisht pa kurrfarë lidhjeje me krizën financiare - edhe në Iran. Problemet e mëdha kanë mbetur, sikur psh papunësia e lartë në Perëndim, si dhe ne ballafaqohemi me probleme të reja, të shkaktuara nga reagimet ndaj krizës – rritja e borxheve dhe frika nga inflacioni. Por, në përgjithësi, mund të thuhet se kjo është një gjendje shumë më e mirë sesa ajo gjatë viteve 1930.
Parashikuesit e një kolapsi ekonomik dhe politik nuk mund të thonë se kanë qenë largpamës.

Problemet e reja
Ringjallja që ka ndodhur nuk ka ardhur për shkak të asaj se tregjet ia kanë dalë që të stabilizohen me fuqitë e tyre, por qeveritë, të mësuara nga Depresioni i Madh, ishin të përkushtuara që të mos i përsërisin gabimet e njëjta. Duke zgjeruar deri në maksimum përkrahjen shtetërore për ekonominë, ato kanë parandaluar më të keqen.
Është e vërtetë që intervenimet masive shtetërore të vitit të kaluar mund të nxisin disa probleme të reja, por ato kanë shkaktuar rikthimin e besimit, e besimi është një fuqi e madhe ekonomike. Kur Xhon Majnard Kejns përshkroi preferencat e tij për rritje ekonomike, ai kishte besuar se veprimet e qeverisë mund të ofrojnë vetëm një zgjidhje të përkohshme, derisa të vihej në jetë motori i vërtetë i ekonomisë: shpirti shtazarak i investuesve, konsumatorët dhe kompanitë që janë në kërkim të rrezikut dhe profitit.
Përkundër të gjitha këtyre, besoj se ka një arsye fundamentale pse nuk jemi ballafaquar me një kolaps global gjatë vitit të kaluar. Është e njëjta arsye që çoi deri te kriza e bursave në vitin 1987, te recesioni i vitit 1992, Kriza aziatike e vitit 1997, problemet e pagimit të borxheve të Rusisë të vitit 1998 dhe të krizës teknologjike të vitit 2000. Kriza aktuale e sistemit ekonomik global nuk është aq serioze sa që mendojmë ne. Bota sot karakterizohet nga tri forca kryesore të stabilitetit.
E para është paqja gjithëpërfshirëse. Që nga fundi i Luftës së dytë botërore, fuqitë kryesore të botës nuk kanë luftuar mes vetes. Ka pasur disa tensione politike, por të matura me standardet historike, globi sot është shumë më paqësor, sesa që ishte në të kaluarën. Kjo mungesë e konfliktit është shumë e rrallë në histori. Duhet të kthehemi të paktën 175 vjet prapa, në mos 400, për të gjetur një periudhë të tillë të gjatë të paqes globale, sikur kjo në të cilën jemi duke jetuar tani. Numri i të vrarëve në luftëra, konflikte civile dhe në veprime terroriste, gjatë 30 viteve të fundit, ka rënë ndjeshëm, pa marrë parasysh atë që mund të mendoni bazuar në lajmet që i dëgjojmë përditë. Kjo nuk është për tu habitur, meqë 30 vjet më parë, BRSS-ja financonte milici, qeveri dhe forca guerile në shumë shtete të botës. Kurse SHBA-ja përkrahte anën kundërshtare në të gjitha këto shtete. Kjo situatë shkaktoi gjakderdhje të madhe dhe jostabilitet serioz” vetëm në Indokinë kishin vdekur 3 milionë njerëz gjatë viteve 1970. Sot nuk kemi ngjarje të tilla.

Fitorja mbi inflacionin tumoral
Paqja është si oksigjeni, ka thënë Xhozef Nie nga Harvardi. Kur nuk e ke, mendon vetëm për të, por kur e ke, nuk ia di kimetin. Paqja që pasoi pas përfundimit të Luftës së ftohtë është më shumë efektive për shkak se u shoqërua nga diskreditimi i socializmit. Bota mbeti vetëm me një superfuqi, por edhe me vetëm një model funksional ekonomik – kapitalizmin – përkundër ekzistimit të shumë modeleve të tij, nga Suedia deri në Hong Kong. Ky konsensus mundësoi zgjerimin e ekonomisë globale; në të vërtetë, ai për herë të parë krijoi një ekonomi të vetme botërore, ku thuajse merrnin pjesë të gjitha shtetet e botës. Kjo dmth se të gjithë kanë investuar në të njëjtin sistem. Sot, kur shtetet e Evropës lindore ballafaqohen me krizën ekonomike, askush nuk është duke sugjeruar që ato të heqin dorë nga kapitalizmi i tregut të lirë dhe të rikthehen në komunizëm.
Forca e dytë e stabilitetit është fitorja mbi inflacionin tumoral. Para 35 vjetësh, pjesa më e madhe e botës ishte prekur nga inflacioni i lartë, me pasoja të thella sociale dhe politike. Një inflacion i madh mund të jetë shumë më i dëmshëm sesa një recesion. Në shumë shtete gjatë viteve 1970, hiperinflacioni kishte çuar deri te shkatërrimi i shtresës së mesme të shoqërisë, gjë që ishte pasuar me disa grusht-shtete në Amerikën latine, suspendimin e demokracisë në Indi, rrëzimin e shahut në Iran. Por, nga viti 1979 gjërat filluan që të përmirësoheshin.
Dhe, forca e tretë që ka ndikuar në aftësinë ripërtëritëse të sistemit global është lidhshmëria teknologjike. Globalizimi ka ekzistuar gjithmonë në kuptimin e botës moderne, por deri vonë, konturat e tij kryesisht ishin kufizuar në tregti. Sot, revolucioni informativ ka krijuar një sistem global shumë më të lidhur.
Ky lajm është publikuar: 19/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›