Sekti politik me emrin PD*
Afrim Krasniqi/publicist
-Një parti bën surprizë kur del tej parashikimeve, por PD-ja e pushtetit nuk ka lëvizur ende jashtë çdo parashikimi! Një parti zhgënjen kur beson në të, kurse tek PD-ja aktuale zgjedhjet provuan masën e besimit dhe ndaj nuk ka vend për zhgënjim. Një parti që ka humbur lidhjen me realitetin, me qytetarët, me median, me publikun dhe me historinë. Ajo sillet si sekt fetar fanatik, ku ndalohet kritika për udhëheqësin, ku kushdo dënohet jo vetëm për fjalët, veprimet, por edhe për mendimet, ku mungon liria dhe durimi për të dëgjuar, ku reflektimi është fjalë e huaj dhe ku turma fanatike e besimtarëve, njerëz pa identitet dhe pa dinjitet personal, - kërkon ushqim; dhe për t’u ushqyer është e gatshme të bëjë gjithçka. 105 mijë anëtarë u thirrën në votim, disa mijëra u pranua se u lanë jashtë listës, vetëm 41 mijë votuan dhe prej tyre 32 mijë votuan për kandidatin e përcaktuar prej një viti. Më 1991 pati garë reale midis dy kandidatëve, më 1992 pati përsëri garë reale, më 1996 nisi gara formale, e cila vijon pa ndërprerje me një kandidat, ose me dy kandidatë të zgjedhur nga lideri suprem. Edhe tani kështu ndodhi. Nuk është çështje emrash, por parimesh dhe procedurash. Ndaj të vjen të qeshësh kur eksponentë aktualë të pushtetit, që janë aty për shkak të shërbimit pa kushte publike, edhe kundër miqve të tyre të afërt, mburren se kjo ishte garë historike, unike, model për të tjerët...! Një parti serioze sillet në mënyrë serioze: njeh veten, mendon, analizon, reflekton, pastaj vendos me parimin e votës. Në PD është kaluar pa u konsumuar çdo etapë e tillë, nuk ka vend dhe as plan për mendim, reflektim dhe analizë; thirrjet për unitet të kujtojnë PS-në më 2002, apo PPSH-në më 1991. Çfarë e pengon PD-në të mbajë shënim çdo mendim dhe të ulet për t’i diskutuar ato? Çfarë e pengon atë të pranojë në parti Kastriot Islamin dhe njëherësh të përjashtojë gjithë PD-në historike të viteve 1990-1995? Çfarë e shtyn një parti të refuzojë zgjedhje transparente në çdo nivel e strukturë? Në çdo rast, në çdo kohë dhe në çdo vend, përgjigjja është e njëjtë: mentaliteti, frika nga konkurrenca e vota e lirë, kultura e munguar dhe vizioni pengues i lidershipit politik! Si në rastin aktual! Problemi kryesor i saj është se nuk funksionon më si parti, nuk ka status dhe nuk e respekton atë të vjetrin që ka, nuk ka rregulla loje dhe askush nuk e respekton lojën... Ndaj kjo që po ndodh në PD-në aktuale, është vetëm fillimi; të pasurit po grinden, duke kërkuar pushtet dhe imunitet personal, ekipet paramilitare të forcës po tregojnë muskujt sot në FB dhe nesër në sallat e mbledhjeve, turma po grindet, duke tentuar të bëhet bodigardi më i besuar i udhëheqësit të vjetër e të ri, mendjet e qeta dhe elitare janë të padëshirueshme dhe refuzohen me egërsi. PD-ja po humb gjithçka, jo vetëm pushtetin, jo vetëm qetësinë. 100% për meritë të kulturës politike që krijoi lideri i lavdishëm i ‘68- ës, i kulturës së dhunës që ngriti në institucion modeli i baltosjes ndaj çdo mendimi kundër, i pafuqisë për të menduar i lirë dhe i paaftësisë për të nxjerrë në krye mendjet vs muskujve, i sistemit klientelist, ku turma e servilëve qeveris, i sistemit korruptiv, ku të pasurit e rinj, të shëndoshur me paratë publike e pushtetin politik, diktojnë votime, rregulla dhe vendimmarrje politike. PD-ja aktuale, megjithëse ka një kryetar të ri zyrtar, nuk ka ende një ide novatore mbi të ardhmen dhe sfidat e saj, nuk ka reagim, nuk ka siguri dhe as garanci për të ardhmen e saj. Ka ndryshuar vetëm mosha e njeriut nën kostum, jo kostumi, jo sjellja, jo mentaliteti, jo mekanizmi i politikës si dhuratë e mbijetesës, jo vizioni për politikën dhe demokracinë, jo respekti ndaj rregullave, parimeve dhe normave ku bazohen krijimet dhe funksionimet e partive politike moderne, jo aftësia për të shikuar tej interesit të ngushtë ditor dhe as mençuria për të kuptuar vetveten dhe për të bërë dallimin e madh midis 1 milion votave kundër dhe 1+5 vetave që vijojnë të bëjnë fajtor qytetarët për dështimin e vet historik. U thanë këto mendime edhe vite më parë, refuzuan. Tani kur koha u dha të drejtë, po merren dhe po thuhen nga armiqtë e radhës! Si përherë, armiqtë duhet të jenë diku lart, në krye, mundësisht sfidues për kryetar ose zv.kryetar, siç ka ndodhur gjatë viteve të ndryshme me Hajdarin, Pashkon, Cekën, Imamin, Pollon, Arbnorin, Meksin, Topin dhe së fundi me Patozin. Sepse, në një parti të modelit sektar ka vetëm një udhëheqës, vetëm një të drejtë, vetëm një folës, vetëm një vendimmarrës, vetëm një shpëtimtar, vetëm një Zot...! Të tjerët janë ndjekës besnikë, turmë e dhunshme pa zë, e gatshme për shërbime kamikaze, ose ka mëkatarë që duhen dëbuar e dënuar prej turmës së ndjekësve! Siç ka ndodhur shpesh dhe siç po ndodh përsëri, në kohën kur ende në tabelat e pallateve ka mbetur sllogani elektoral “Qytetari është i pari”!!! *Titulli është redaksional Marrë nga profili i autorit në FB.