Referendumi, Gjykata Kushtetuese tërhiqet për të marrë vendimin
Mundësia e fundit për zhvillimin e referendumit për mbrojtjen e Kushtetutës do të jetë i varur nga vendimi që do të japë Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit ka shqyrtuar dje kërkesën e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, i cili kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së për mohimin e mundësisë së zhvillimit të referendumit popullor për të miratuar ose jo ndryshimet që iu bënë Kushtetutës më 21 prill 2008, pas konsensusit të arritur nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Pala nismëtare, KMK, e përfaqësuar nga avokati Bledar Fejzo, kërkoi në këtë seancë dëgjimore shfuqizimin e vendit të KQZ-së për interpretimin e neneve 150/1 dhe 177 të Kushtetutës. Sipas Komitetit Drejtues për Mbrojtjen e Kushtetutës, KQZ-ja ka marrë atributet e kësaj gjykate duke bërë interpretimin e Kushtetutës. Ndërkaq, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, në mbrojtje të vendimit të marrë nga organi që ai drejton, tha se vendimet e KQZ-së janë administrative dhe si të tilla ankimi duhej të ishte bërë në një gjykatë normale. Ai tha gjithashtu se KQZ-ja hodhi poshtë pretendimin e nismëtarëve, pasi ishin individë dhe jo subjekte politike apo organizatë. Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi kërkesën e djeshme, është tërhequr për marrjen e vendimit përfundimtar, për zhvillimin ose jo të referendumit për mbrojtjen e Kushtetutës. Kërkesa për referendum, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u firmos nga dy ish-presidentët, Meidani e Moisiu, nga shkrimtari Dritëro Agolli, nga kreu i LSI-së Ilir Meta, nga publicisti Fatos Lubonja, kreu i KMK-së Artur Zheji, analisti Andrea Stefani, nga përfaqësuesja e lëvizjes “Mjaft” Elisa Spiropali, nga kreu i PAD-së Neritan Ceka, nga kreu i PDS-së Paskal Milo, deputeti i PSD-së Engjëll Bejtaj, nga kreu i PS ’91-shit Petro Koçi, nga kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, nga deputeti i LSI-së Spartak Braho, nënkryetari i LSI-së Zabit Brokaj, deputeti i pavarur Taulant Dedja, ish-kryetarja e Kuvendit, Makbule Çeço, analisti Frrok Çupi, akademiku Alfred Uçi si dhe ish-deputeti i PS-së, Halil Lalaj.
26 Nentor 2008